Negociatat  për anëtarësimin, Rama: Meritë e reformave të qeverisë

13/11/2016 00:00

Përmes komunikimit periodik me publikun në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama u përqendrua te rekomandimi pozitiv i Komisionit Europian për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas kryeministrit, refmorat rrënjësore, të rënda dhe me kosto të qeverisë që drejton morën edhe vlerësimin ndërkombëtar, ndërsa akuzoi opozitën se nuk po përpiqet për të mirën e vendit, por vetëm shpif pa pushim.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Tre vjet më parë Shqipëria ishte një vend i refuzuar, tre herë me radhë në tre vite rresht në përpjekjen për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Një shtet i pareformuar, me imazh të keq ndërkombëtar, me një kryeministër që kishte humbur çdo respekt ndërkombëtarisht dhe që prej disa vitesh nuk e qaste më askush në derë. Me një politikë të jashtme pa asnjë peshë në rajon dhe lëre pastaj respekt në Europë. Rruga e integrimi europian të Shqipërisë ishte kthyer në tatëpjetë të rrëshqitshme ku çdo përpjekje për të hedhur një hap përpara bëhej një prapakthehu 2 hapa mbrapa. Axhenda e re reformiste e shumicës fituese të zgjedhjes se qershorit 2013 ishte ajo që i hapi rrugën e rimëkëmbjes Shqipërisë edhe në sytë e familjeve europiane dhe të komunitet ndërkombëtar në tërësi. Dinamika e re e politikës sonë të jashtme i ka rritur ndjeshëm kuotat e vlerësimit të Shqipërisë dhe urat e komunikimit e të bashkëpunimit tonë rajonal e ndërkombëtar në nivelet më të larta, janë sot më të fuqishme se asnjëherë më parë. Vendi ynë mori statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe sot në harkun e vetëm 3 vjetëve që kur kemi filluar të qeverisim, Shqipëria sapo ka marrë rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Tre vjet më parë kjo arritje kaq domethënëse në procesin e integrimit dukej një mision i pamundur brenda mandatit tonë të parë qeverisës. Axhenda jonë reformiste dhe beteja e paepur pas një vonese shumëvjeçare për të çuar përpara reforma rrënjësore, të rënda dhe me kosto në çdo sektor na ka dhënë të drejtë edhe ndërkombëtarisht. Komisioni Europian e ka vlerësuar aq maksimalisht progresin e bërë përmes reformave në çdo fushë sa ka ndezur dritën jeshile për çeljen e negociatave për të anëtarësim për Shqipërinë. Kazani i broçkullave që zien përditë në mexhelisin tonë politik e mediatik zhurmojnë me të madhe për medekmek kushtet që do t’i viheshin Shqipërisë. Madje shqiptarët dëgjuan papushim se deri edhe kanabisi do të ishte kusht për çeljen e negociatave, zgjedhjet e ardhshme do të ishin kusht, një qeveri e re me një kryeministër tjetër do të ishte kusht, edhe njëherë ata që u refuzuan për 3 vite rresht kur kërkoni thjesht statusin e kandidatit për Shqipërinë çfarë nuk thanë, sajuan çfarë deshën, por që vetëm çeljen e negociatave nuk donte se për ta Shqipëria është e mirë vetëm kur punët e tyre janë mirë dhe është e dashur vetëm kur ata janë në pushtet. Për ta Shqipëria është Kolumbi, kriminalitet, hajdutëri, arrati, terr i zi dhe siç e kanë zakon edhe njëherë e vetmja gjë që lanë pa thënë ishte e vërteta. E vërteta e thjeshtë që Shqipëria do të merrte rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave pakushte dhe vetëm me mirëkuptimin krejt të natyrshëm që të vazhdojë pa ndërprerje puna për zbatimin e reformës në drejtësi, konkretisht për “vetinng”-un e gjykatësve e të prokurorëve. Pra, e vetmja pikë e nënvizuar nga Komisioni Europian si premisë e mirëkuptuar për të shkuar normalisht në tryezën e negociatave, quajeni edhe kusht po të doni, është zbatimi i ligjit për “vetting”-un, por ama s’do as mend, as kalem që kjo është në radhë të parë premisë e jona në rrugën tonë drejt Shqipërisë europiane të cilën e kanë zgjedhur vetë shqiptarët 26 vite më parë. Reformat do të vazhdojnë, jo se na kërkon Brukseli por sepse iu kemi borxh fëmijëve tanë të gjeneratës tjetër.

Top Channel