Moti i keq, emergjencat vijojnë operacionet për të shpëtuar banorët

13/11/2016 00:00

Shtabet e Emergjencave Civile, forcat ushtarake dhe ato policore janë duke punuar për të minimizuar rreziqet për banorët pas reshjeve të shumta të rëna në ditët e fundit në vend.

Të shtunën ka patur reshje të dobëta në vend dhe niveli i sipërfaqes së tokës me prezencë uji vazhdon të ulët.

Në Krujë vazhdon të punohet nga forcat xheniere të ushtrisë për copëtimin e një masivi shkëmbor, i cili përbën rrezik për disa banorë të cilët janë evakuuar deri sa gjendja të kthehet në normalitet.

Në rrethin e Lezhës vazhdon të ketë një prezencë uji në tokat bujqësore, në një sipërfaqe prej rreth 250 hektarësh, ndërsa në Kurbinit janë rreth 200 hektarë.

Nga hidrocentralet Ulëz dhe Shkopet, ka pasur shkarkime rreth 1400 metër kub për sekondë.

Ndërkohë që argjinatura e lumit Mat, në të dy krahët, po monitorohet për shkak të rrezikut që paraqet. Në fshatin Klos, në Mirditë ka patur rrëshqitje toke dhe janë marrë masa për të evakuuar të gjithë banorët që rrezikonin seriozisht.

Në Zejmen të Lezhës u forcua argjinatura e fshatit Markatomaj, pasi rrezikonte. Ndërsa në Gjirokastër reshjet e një natë më parë krijuan probleme në aksin rrugor Gjirokastër- Kakavijë.

Përroi pranë varrezave të qytetit doli nga shtrati i tij dhe krijoi probleme në qarkullimin e automjeteve.

Edhe Lumi i Tiranës pati rritje të nivelit të prurjeve. Në Babru, Laknas dhe Bregun e Lumit, situata ka qenë më problematike. Në autostradën Tiranë-Durrës, u bllokua  kolektori i ujërave sipërfaqësore dhe uji i reshjeve të shiut vërshoi duke bllokuar disa biznese.

Top Channel