Rijetësohet pazari i Korçës, mbi 50 biznese të gatshme për ta kthyer në destinacion turistik

13/11/2016 00:00

Në një mbrëmje promovuese për produktet shqiptare mblodhi në Korçë mëse 50 biznese të cilat duan të bëhen pjesë e pazarit të restauruar të qytetit. Aktiviteti ku u ndërthurën gatimet tradicionale, muzika dhe ritmi ka krijuar pikën e parë të kontaktit për të interesuarit.

15 biznese të tjera e kanë nisur punën për përshtatjen e ambienteve të brendshme të pazarit sipas ideve të tyre.
 
Sipas kryetarit të Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, investimi prej 5 milionë dollarësh shumë shpejt do të kthejë pazarin në një prej zonave më të rëndësishme për turistët e huaj dhe vendas.

“Ne e mendojmë këtë vend të mbushur me bare, restorante, dyqane artizanale apo suverniresh, hanet të kthyera në njësi akomodimi etj. e mendojmë një qendër të gjallë të mbushur jo vetëm me qytetarë të Korçës dhe banorë të zonave përreth, por edhe me plot turistë e vizitorë nga gjithë Shqipëria e jo vetëm”, deklaroi kreu u Bashkisë Korçë, Filo.

Nën moton “Investo në pazar”, ky aktivitet ka testuar vazhdimësinë e projektit për pazarin dhe fazës së rivitalizimit,  kur pritet që edhe festat e fundvitit të gjejnë në funksion të plotë dyqanet, baret dhe restorantet.

Top Channel