Irak, forcat qeveritare rimarrin qytetin antik të Nimrudit

13/11/2016 00:00

Forcat qeveritare irakiane kanë shtënë nën kontrollin e tyre zonën e Nimrudit, vendndodhja e një qyteti antik asirian të rënë nën darën e ashpër të grupit të militantëve të Shtetit Islamik rreth dy vite më parë.

Në mars të vitit 2015, zyrtarë dhe historianë dënuan ISIS-in për shkatërrimin e vendit arkeologjik, që daton prej shekullit të XIII-të përpara Krishtit. Organizmi i Kombeve të Bashkuara për kulturën e përshkroi atë veprim si një krim lufte.

Megjithatë, xhihadistët e ISIS-it thonë se tempujt dhe statujat janë “idhuj falsë” dhe duhen shkatërruar si të tillë. Nimrudi shtrihet vetëm 30 km në juglindje të qytetit të Mosulit, të cilin forcat qeveritare po përpiqen ta marrin sërish nën kontroll nga duart e militantëve xhihadistë.

Një deklaratë e ushtrisë irakiane bëri të ditur se trupat e një divizioni çliruan Nimrudin tërësisht dhe ngritën flamurin irakian mbi ndërtesat kryesore të tij, pasi iu shkaktuan humbje të mëdha në jetë dhe pajisje të ashtuquajturit Shtet Islamik.

Ndërkohë, aktivistët e të drejtave të njeriut kanë akuzuar edhe forcat kurde në Irak se po shkatërrojnë shtëpitë e arabëve sunitë në të paktën 20 fshatra, në zonat që kanë qenë nën kontrollin e ISIS.

Top Channel