Ushtria ndërhyn në Dibër, mbi 200 banesa të rrezikuara në Bulqizë

13/11/2016 00:00

Ndërprerja e reshjeve të shiut në Bulqizë është pasuar nga një ulje e temperaturave, teksa kanë nisur edhe reshjet e para të dëborës për këtë vit, në lartësinë 600 metra mbi nivelin e detit.

Në shumë fshatra të njësive administrative të Bashkisë Burrel dhe asaj të Klosit vazhdon të jetë situatë e vështirë, si pasojë e shembjes së urave dhe rrëshqitjeve të tokës.

Ndërkohë, pas ndërhyrjes së bashkisë me mjetet e saj dhe me ardhjen në ndihmë të ushtrisë është normalizuar situata në fshatin Gjoricë, në Bashkinë Bulqizë, ku 200 shtëpi rrezikoheshin nga përmbytjet.

Të shtunën, në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civile në Qarkun e Dibrës ishte edhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila tha se janë bërë ndërhyrje në disa segmente rrugore në argjinaturën e Gjoricës.

“Shpresoj që reshjet të ndalen nga këto prurje më shumë se ç’duhen. Kjo do të na jepte mundësi për të rikuperuar atë që mund të rikuperohet, sepse ka disa ndërhyrje që nuk mund të bëhen nëse nuk pushojnë reshjet, për të kuptuar se ku jemi duke punuar. Kjo është një zonë që ka edhe dëborë, kështu që duhet ndërmarrë edhe masa të tjera”, u shpreh ministrja Mimi Kodheli.

Kodheli tha se do ta përcjellë në qeveri të gjithë problematikën e krijuar në këtë qark, duke vendosur më pas edhe prioritetet për të  bërë të mundur ndërhyrjet në kohë, në mënyrë që të shmangen katastrofat.

Top Channel