Kolumbi, përmirësohet marrëveshja e paqes me FARC

13/11/2016 00:00

Qeveria kolumbiane dhe grupi rebel i “FARC”-ut kanë njoftuar arritjen e një marrëveshjeje të re paqeje, vetëm 6 javë pas arritjes së paktit të parë të refuzuar përmes një referendumi popullor.

Dy palët, që kanë zhvilluar bisedime në Kubë prej 4 vitesh, thanë se plani i rishikuar kishte përfshirë edhe propozimet nga opozita dhe grupe të tjera. Marrëveshja e parë mes tyre pretendohej se favorizonte vetëm rebelët e krahut të majtë.

Marrëveshja e re e nënshkruar nuk pritet të hidhet sërish për votim popullor, por do t’i dorëzohet Kongresit.

“Kemi arritur një marrëveshje të re dhe përfundimtare për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur. Në të përfshihen ndryshime, qartësime dhe disa shtesa nga grupe të ndryshme sociale”, thuhet në deklaratën e përbashkët të të dyja palëve.

Pakti i ri është lexuar dhe konfirmuar edhe nga diplomatë të Kubës dhe Norvegjisë, dy vende ndërmjetësuese, në kryeqytetin kuban të Havanës.

Deklarata nuk jep detaje të marrëveshjes së rishikuar, por kryenegociatori i Kolumbisë, Humberto de la Calle, tha se “ajo zgjidh shumë kritika” të ngritura ndaj marrëveshjes së parë.

Një prej kërkesave të reja ka të bëjë me detyrimin ndaj “FARC” që të hartojë një listë tërësore të aseteve të saj, në mënyrë që të përdoret më pas për kompensimin e viktimave. Detaje të tjera nuk priten të publikohen përpara fundjavës së ardhshme.

Megjithatë, kreu i atyre që bënë fushatë kundër marrëveshjes, ish-presidenti Alvaro Uribe tha se propozimet e reja nuk kanë shkuar deri aty ku duhej. Marrëveshja e parë u refuzua nga 50.2 për qind e votuesve, në një referendum të mbajtur më 2 tetor. Konflikti i armatosur mes grupit rebel dhe qeverisë kolumbiane ka shënuar rreth 260 mijë viktima, si dhe ka detyruar me miliona të tjerë të zhvendosen gjatë 52 viteve.

Top Channel