Humbja e zgjedhjeve, Clinton: Shkak letra e dërguar nga Comey

13/11/2016 00:00

Për humbjen e saj në zgjedhjet presidenciale amerikane, Hillary Clinton ka fajësuar ndërhyrjet e drejtorit të FBI-së. Ishte pikërisht njoftimi vetëm pak nga dita e zgjedhjeve i James Comeyt, për rihapjen e një hetimi mbi përdorimin e serverit privat të “e-mail”-eve teksa ishte Sekretare Shteti, të mbyllur muaj më parë, ai që i dha një goditje momentit kulminant të fushatës së saj.

Kandidatja demokrate ka folur përpara donatorëve kryesorë të partisë së saj përmes një telekonference, gjë që arriti të publikohej edhe në media.

“Ka shumë arsye që një palë zgjedhje të tilla të mos ishin të suksesshme. Por sipas analizave tona, ishte pikërisht ajo letër e Comeyt që ngriti dyshime. Dyshime që ishin të pabaza, për t’u provuar, të cilat ndalën vrullin e suksesit tonë në fushatë. Ne u rrëzuam, ndaj dhe na u desh të luftonim shumë fort që të rifitonim avantazhin”, u tha ajo donatorëve në konferencën e lamtumirës.

Ndërkohë, protesta të shumta po vijojnë kundër fitores së rivalit të saj, Donald Trump. Në Nju Jork, rreth 2.000 marshues iu drejtuan kullës “Trump”, aty ku presidenti i zgjedhur jeton aktualisht, duke thirur në kor “Ti nuk je presidenti im”. Aktivistë kundër Trumpit kanë zhvilluar protesta të përditshme në qytete të ndryshme amerikane, që prej konfirmimit të fitores së tij zgjedhore ditën e mërkurë.

Trump duket se, ende pa hyrë në Shtëpinë e Bardhë, ka filluar të tërhiqet nga një sërë premtimesh zgjedhore të bëra para amerikanëve. Edhe pse kishte premtuar të anulonte ligjin për kujdesin shëndetësor të presidentit Barack Obama, të quajtur “Obamacare”, ai është shprehur i gatshëm dhe i hapur për të lënë disa pjesë të këtij akti të paprekura.

I pyetur nga gazetar i “Wall Street Journal” nëse do të bënte fakt të kryer premtimin për të emëruar një prokuror special për të hetuar përdorimin e “pakujdesshëm” të “e-mail”-it nga ana e zonjës Clinton teksa ishte Sekretare Shteti, ai listoi reformat e kujdesit shëndetësor, të punësimit, të kontrollit kufitar dhe të taksave si prioritete më të mëdha.

Republikani pritet të betohet si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 20 janar, duke pasuar edhe zyrtarisht Obamën, i cili numëron ditët e fundit të dy mandateve në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Clinton, e cila ka shërbyer edhe si Sekretare e Shtetit nën administratën “Obama” në vitet 2009-2013, ka ruajtur një profil të ulët që prej pranimit të humbjes në zgjedhje.

Më 28 tetor, Comey informoi Kongresin se FBI-ja po ekzaminonte disa “e-mail”-e të reja të dërguara apo të marra nga zonja Clinton, gjë që rihapi një hetim të mbyllur në korrik të këtij viti. Më pas, më 6 nëntor, vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve, Comey njoftoi përmes një letre të dytë se do t’i qëndronte deklaratës së parë të vlerësimit, që do të thoshte se Clinton nuk do të përballej me ndonjë akuzë penale.

Top Channel