Notat, Kombëtarja bën harakiri, kuqezinjtë na zgjojnë nga ëndrrat

12/11/2016 00:00

Kemi parë ndeshje të shëmtuara të kombëtares, por ndeshje më të tmerrshme se ajo me Izraelin kishim kohë që nuk e përjetonim. Nuk mjaftoi shtetrrethimi policor disaditor, por dhe ajo që ndodhi në fushën e lojës ishte një katastrofë e vërtetë.

Me një arbitër në kufijtë e tendeciozit, futbollistë gjaknxehtë dhe një trajner që duket sikur nuk e dëgjojnë më.   

Është e vështirë të vendosësh notat në këtë ndeshje, ku gjithçka shkoi keq dhe ku çdokush do të ngrihej i trembur nga ëndërrimet.   

Berisha 4 –Edhe pse teknikisht bëri mirë gjithçka për sa u vu në provë. Berisha ka bërë padyshim gjestin më të shëmtuar të jetës së tij. Një manovër e panevojshme, madje e turpshme për një sportist që deri tani ka qenë modeli i qetësisë për këtë skuadër.   

Gjimshiti 4 – Pikërisht nga një gabim i tij nisi katastrofa. Vendosje e gabuar e më pas një ndërhyrje që e ndëshkoi më shumë skuadrën. Mund ta kishte evituar duke e lënë gabimin ta përballte portieri.   

Hysaj 6.5 – Karakteri dhe shpirti i garës bënë që të nxjerrë më të mirën nga vetja, edhe pse ishte e pamjaftushme për t’i ardhur në ndihmë skuadrës.   

Mavraj 6.5 – Nuk është e lehtë të përballosh një repart të shpartalluar, por Mavraj me shumë qetësi u mundua të riparonte shumë gabime të kësaj mbrëmjeje.   

Agolli 6.5 – Shumë sakrificë, shumë dyluftime, por pothuajse të padukshme përballë një kundërshtari që dukej në krahë në superioritet numerik. 

Kukeli 7 – Nuk është hera e parë që thirret në apel për gabim të të tjerëve, por ai është një futbollist i rrallë, që mund t’i bëjë të gjitha rolet në perfeksion. Ndeshje e jashtëzakonshme.   

Xhaka 7- Ka vrapuar pafundësisht, ka luftuar në çdo aksion, por në një betejë me forca të mangëta. Ishte padyshim një nga më të mirët në fushë.   

Memushaj 6.5 – Duhej të ishte ndeshja më e mirë e edicionit, por u limitua në ndeshjen e sakrificës. Tregoi shumë karakter dhe personalitet.   

Roshi 6.5 – Nuk ishte ndeshja për të kuptuar veprimet e Roshit, por ashtu si edhe pjesa tjetër e skuadrës ai u përshtat për të ndihmuar sa më shumë skuadrën.   

Llullaku 5.5 – Pak veprime për t’u mbajtur mend, shumë pak mbështetje në minutat kur skuadra ishte në barazi numerike. Shërbeu mirë për Memushajn në pjesën e parë, por goli nuk u arrit.   

Balaj 6 – Ndeshje e vështirë, duke ju përshtatur vështirësive me të cilat u përball skuadra. Shumë kërkues dhe me shumë inciativë.   

De Biasi 5- Skuadra ishte në një mbrëmje të ngarkuar me shumë nervozizëm. Skuadra reagoi mirë pas ndëshkimit me gol dhe karton të kuq. Trajneri guxoi deri në fund, duke besuar te karakteri i skuadrës.

Top Channel