Paris, teatri Bataclan rihap dyert

12/11/2016 00:00

“Sonte kemi dy detyra: të nderojmë të rënët dhe të rifillojmë jetën. Nuk do t’i harrojmë”. Me këto fjalë këngëtari Sting ka hyrë në skenën e madhe të Bataclan, për të rihapur sallën e koncerteve të Parisit, e mbyllur nga sulmet e 13 nëntorit të një viti më parë.

Para se të fillonte të këndonte, artisti britanik i ka kërkuar publikut të mbajë një minutë heshtje dhe më pas nisi tingujt e këngës “Fragile”, e shkruar prej tij në vitin 1987, e që në një pjesë thotë “Asgjë (e mirë) nuk mund të lindë nga dhuna dhe asgjë nuk do ta bëjë”.

Teatri Bataclan, ndër më të njohurit sa i takon eventeve kulturore në Paris, u kthye vitin e kaluar në skenën e një prej sulmeve terroriste më të përgjakshme të ndodhura vitet e fundit në Europë.

130 persona humbën jetën nga sulmet që nisën në atë sallë dhe vazhduan mes lokaleve në qendër të Parisit dhe në stadiumin “Saint-Denis”. Sot, atje ndodhen rreth 1.500 spektatorë, mes të cilëve të mbijetuar të sulmit dhe familjarë të viktimave.

Top Channel