Natë dhjetori të vitit 1988, më datë 9, në fshatin Zhelizhan të qytetit Lushnjes, një familje gëzonte për ardhjen në jetë të djalit të tyre pas tre vajzave. Ai ishte Fatjoni.

Një djalë që u rrit në një familje me gjendje të mirë ekonomike, ndër të parat shtëpi që kishin televizorin bardhezi, bufenë dhe divanët të cilat për atë periudhë ishin luks që pak njerëz i kishin.

Por, në kohën e eksodit shqiptar, situata e familjes ndryshoi tërësisht. Babai i Fatjonit, me dëshirën për të qëndruar afër familjes, nuk emigroi. Ky fakt e bëri familjen e tij ndër të fundit që nuk kishte ende një televizor me ngjyra.

Babai i tij, Llambri, ka punuar gjithe jetën si roje në pyje dhe sot është në pension, ndërsa mamaja, Kristina, ka punuar për vite në bujqësi, por nuk e ka lënë asnjëherë mënjanë përkushtimin e saj ndaj bashkëshortit dhe fëmijëve.

Fatjoni që i vogël ka pasur shumë ëndrra për të ardhmen. Nga momenti i parë që u ul në bankat e shkollës jeta e tij u pasua nga 19 vite studimi. Ai ka qenë gjithmonë një nga nxënësit më të mirë. Babai e ka mbeshtetur që Fatjoni të realizojë të githa dëshirat që ka pasur për jetën e tij.

Një ditë Fatjoni shkon te babai. Ishte viti 2007. Ai mori guximin dhe i tha që donte të largohej nga Lushnja dhe donte të vazhdonte universitetin. Fatjoni i kujton ende fjalët e babait të tij:

“Biri im, mos harro. Me ndershmëri dhe vullnet mund të bësh çfarë të duash, por duhet të jesh i fortë dhe të marrësh pergjegjësinë e zgjedhjeve të tua. Kjo është ajo çka do të thotë të jesh një njeri i lirë”.

Në vitin 2008 Fatjoni ishte pranuar në universitet dhe për të respektuar fjalët e babait të tij ai bëri çdo punë, edhe ato më të rëndomtat për të mbajtur veten dhe për të paguar studimet.

Një ditë nëntori të po atij viti, në korridoret e universitetit pa për herë te parë atë… Ajo vajzë e cila i ndryshoi jetën në një çast, në çastin kur shikimet e tyre u kryqëzuan.

Që nga ai moment Fatjoni bëri çdo gjë për ta afruar, për ta njohur dhe për ta bërë të dashurohej me të dhe në pak muaj ja doli mbanë. Për të ajo ishte perfekte, vajza më e bukur në botë.

Silva ishte një vajzë me një familje shumë më ndryshe nga ajo e Fatjonit dhe me gjendje më të mirë ekonomike. Për t’i rënë në sy ai filloi të sillej si një person tjetër, vishej më mirë dhe e çonte në vende të bukura.

Por e kishte kuptuar që nëse donte t’i bënte gjërat siç duhej, duhet të ishte i sinqertë. Fillimisht, ai u përpoq t’i shkëpuste lidhjet me të, sepse nuk e imagjinonte dot që ajo ta pranonte ashtu siç ishte.

Por lidhja midis tyre ishte shumë e fortë dhe kushti që vendosi për të qëndruar ende me të ishte që t’i tregonte shtëpinë e tij në fshat dhe ajo të njihte gjendjen e tij të vërtetë.

Ndryshe nga ajo çfarë ai mendonte, Silva nuk i kërkoi asgjë, nuk i vuri asnjë kusht, përkundrazi i thoshte se nëse do të kishte dashurinë e tij kishte gjithçka që i duhej.

Kur Silva i tha që kishte folur me vëllain e saj për fejesën e tyre dhe se babai e priste ne shtëpi për të folur, Fatjoni kishte frikë se mund të mos ishte në lartësinë e duhur, se nuk do të pranohej nga babai i saj.

Babai në fillim hezitoi, por Fatjoni nuk u dorëzua, përkundrazi ky hezitim beri qe ai të përpiqej akoma me shumë. Madje, pasi gjithçka u bë zyrtare, ai u tregoi prindërve të saj që sapo të krijonte kushtet e duhura, ata do të martoheshin dhe kishte vendosur edhe datën.

Për të ka qenë shumë e vështirë, sepse e dinte që kishte një mosbesim nga ana e prindërve të Silvës, por Silva e tij, pa e zhgënjyer as në atë moment iu pergjigj që asaj nuk i interesonin paratë, por vetëm dashuria që ai mund t’i jepte, si askush tjetër.

Stafi i emisionit “Dua të të bëj të lumtur” i mundësoi Fationit dhe Silvës një udhëtim romantik në Paris, pas të cilit erdhi dhe kurorëzimi i tyre.

Top Channel