Protesta në Korenë e Jugut, kërkohet dorëheqja e presidentes

12/11/2016 00:00

Skandali politik që ka përfshirë Korenë e Jugut dhe ka nxjerrë në protesta me qindra mijëra vetë ka në qendër presidenten e vendit, Park Geun-hye.

Demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të saj. Kryetarja e shtetit akuzohet se i ka krijuar mikeshës së vetë Choi Soon-sil mundësinë të shtjerë në dorë dokumente qeveritare pa pasur një leje zyrtare për këtë veprim.

Që prej skandalit, niveli i popullaritetit të presidentes ka rënë ndjeshëm. Vetë Park thotë se e gjithë kjo situatë i ka “copëtuar zemrën”, por ata që e kundërshtojnë në popull janë të palëkundur.

“Sot numri më i madh i anëtarëve të Konfrederatës së sindikatave tregtare është mbledhur këtu për të kërkuar jo vetëm dorëheqjen e presidentes Park Geun-hye, por edhe burgosjen e saj”, thotë Nam Jung su, zëdhënës i Konfederatës.

“Çdo njeri i thjeshte si unë ka dalë këtu për të shtuar fuqinë e zërave që kërkojnë rrëzimin e Park Geun-hye dhe ajo, me paturpërsinë më të madhe vazhdon të qëndrojë në atë post”, thotë Jang Jin woo, një protestues gjimnazist.

Organizatorët thonë se në protestën e Seulit u mblodhën 1 milion vetë, por policia e vendos këtë shifër në 260.000. Ky ishte më i fundit i një seri tubimesh masive të kthyera në mekanizmin e përcjelljes së indinjatës popullore.

Choi akuzohet se është përpjekur t’iu zhvasë shuma gjigande parash kompanive koreano-jugore dhe aktualisht gjendet në arrest për mashtrim dhe abuzim me pushtetin.

Top Channel