Granata e dorës e kryqëzorëve

12/11/2016 00:00

Një granatë dore e kohës së kryqëzorëve është gjetur në Izrael. Ka qenë një familje që e ka gjetur objektin në det dhe ia ka dorëzuar Autoritetit Izraelit të Antikitetit.

Objekti nuk ka asgjë të përbashkët me granatat e ditëve të sotme. Granata mesjetare është ndërtuar me material qeramikë të rëndë dhe e zbukuruar me reliev.

Ajo nuk shpërthen si mjetet luftarake të brezit të sotëm, por është më tepër si një bombë Molotov, ose një granatë zjarrvënëse.

Asokohe, objekti mbushej me naptha, një lëndë e lëngshme e njohur si zjarri grek, më pas izolohej dhe u hidhej armiqve. Ajo përdorej kryesisht në betejat detare, pasi zjarri do të shkatërronte anijet armike.

Autoritetet izraelite, pasi e kanë marrë në dorëzim, deklaruan se granata të tilla kanë qenë shumë të përhapura në Izrael gjatë kryqëzatave, që ndodhën mes shekullit XI dhe XIII dhe u përdorën deri në epokën Mamluk, mes shekullit XIII dhe XVI.

Top Channel