Beteja për Alepon, ushtria zmbraps rebelët

12/11/2016 00:00

Forcat e qeverisë siriane rimorën nga duart e rebelëve disa zona të qytetit Alepo që i kishin humbur gjatë luftimeve të ditëve të fundit.

Humbja e territorit u konfirmua edhe nga vetë forcat rebele që prej 28 tetorit kishin nisur një ofensivë për të çarë rrethimin e qytetit. Rebelët sulmuan forcat e ushtrisë me qindra raketa duke përparuar në ditët e para të ofensivës.

Më pas përparimi i tyre u ndal, por sidoqoftë, rebelët mundën që të marrin kontrollin e disa pikave strategjike në qytet.

Por duket se suksesi i tyre u zhbë për pak orë dhe forcat e ushtrisë siriane u rikthyen në pozicionet e mëparshme, madje kanë përparuar edhe në zona të tjera. Observatori sirian për të drejtat e njeriut, një organizatë aktivistësh me bazë në Londër, tha se tashmë është e qartë se beteja epike për Alepon, siç ishte cilësuar nga rebelët, ka dështuar plotësisht.

Raportohet se mbi 500 njerëz, përfshirë civilë dhe luftëtarët nga të dyja palët, humbën jetën gjatë ofensivës rebele. OKB ndërkohë raporton se rreth 275 000 civilë jetojnë nën rrethim në zonat lindore të Alepos, ku po mbaron ushqimi.

Sipas Jan Egeland, këshilltar i OKB për ndihmën humanitare, në zonat e kontrolluara nga rebelët në Alepo po ndahen racione te fundit të ushqimit dhe nëse nuk merren masa urgjente, javën e ardhshme nuk do të ketë më ushqim.

Aktualisht nuk ka asnjë përpjekje për të diskutuar ndonjë armëpushim të mundshëm humanitar mes palëve ndërluftuese apo fuqive të mëdha. Përkundrazi, mbërritja në Mesdhe dhe pozicioni përballë brigjeve të Sirisë i flotës ruse, tregon se Moska po bëhet gati për përshpejtimin e sulmeve ajrore për t’i dhënë fund sa më shpejt rezistencës rebele në Alepo.

Top Channel