Moti i keq, ujërat dhe dherat mbulojnë rrugët; probleme në disa akse

12/11/2016 00:00

Moti i keq vazhdon të shkaktojë dëme dhe probleme në mbarë vendin, ndonëse në orët e fundit ka patur një tkurrje të reshjeve.

Kështu, nga të dhënat e fundit mësohet se ka patur një rrëshqitje dherash në aksin rrugor Librazhd-Prrenjas.

Në zonën ku ka rrëshqitur masivi i dheut, në pjesën e Librazhdit, qarkullimi është bërë me një korsi.

Por autoritetet lokale njoftojnë se skuadrat e emergjencave janë vënë në lëvizje dhe në kohë rekord kanë mundësuar hapjen e rrugës.

Ndërkohë, në jug-lindje të vendit shirat kanë shkaktuar vështirësi qarkullimi në në aksin nacional Korçë-Pogradec.

Në hyrje të qytetit të Pogradecit, mungesa e kanaleve kulluese por edhe problemet infrastrukturore kanë sjellë vërshimin e ujërave në aksin e sipërpërmendur.

Për mëse dy orë, mjete të cilat kanë qarkulluar përgjatë këtij aksi nacional kanë hasur vështirësi të shumta në të dy krahët e rrugës, pasi uji ka mbuluar gjithçka.

Por edhe kur intensiteti i reshjeve është ulur trafiku ka qenë i rënduar për shkak të gropave dhe infrastrukturës problematike.

Top Channel