Tërhiqet aktori Robert Redford

12/11/2016 00:00

Filmi i fundit që prodhoi në cilësinë e regjisorit e ku u shfaq dhe vetë, ishte trilleri i 2012-s, “The Company You Keep”. Tani, në moshën 80 vjecare, aktori veteran Robert Redford është lodhur nga interpretimi e do të heqë dorë përfundimisht.

Nga ky moment ai do të fokusohet vetëm tek regjisura, ndërsa ka edhe dy projekte për të përfunduar.

“Është momenti për t’i thënë lamtumirë aktrimit. Në këtë pikë të jetës, në moshën 80-vjeçare, kjo është gjëja që do të më jepte më shumë kënaqësi”, thotë Redford.
 
Djali i artë i Hollywood-it preku majat e famës me interpretime në filma si “Butch Cassidy” dhe “The Sundance Kid”. Redford i mahniti të gjithë duke u treguar se tek ai, kishte diçka më shumë sesa thjesht pamja joshëse.

Ai jo vetëm aktroi mjeshtërisht e mori në duar regjinë e disa prej filmave dramatikë më provokues në historinë e kësaj industrie, por themeloi gjithashtu edhe “Sundance Film Festival” që ka bërë emër për mënyrën sesi i shpërblen regjisorët e rinj e të zotë.

Projektet e reja të Redford përfshijnë një histori dashurie mes dy të moshuarish me Jane Fonde dhe një film më të lehtë me protagoniste kryesore Casey Affleck dhe Sissy Spacek. Të dy këta filma do të shfaqen në kinema në vitin 2017.

Top Channel