Përkujtohen viktimat e Parisit

12/11/2016 00:00

Një minutë heshtje u mbajt në “Stade de France” në nder të atyre që humbën jetën në sulmet e 13 nëntorit në Paris një vit më parë. Presidenti francez, Francois Hollande kujtoi sesi ishte i pranishëm në të njëjtin stadium në kohën kur tre bomba shpërthyen në afërsi të tij dhe vranë një person, shoferin Manuel Diaz.

“Ne duhet të kujtojmë 130 të vrarët e qindra të plagosurit. Duhet të kujtojmë së pari jetët e humbura, por edhe për ata që mbijetuan dhe në emër të të cilëve ne duhet të kalojmë në veprim, duhet të inkurajojmë, të mbështesim e të tregojmë solidaritet. Nëse jemi të fuqishëm, nëse ka unitet mes nesh, atëherë do ta mposhtim terrorizmin”, deklaroi Hollande.
 
I përballur me një rrebesh kritikash dhe sondazhe që prej gjashtë muajsh tregojnë rënie të popullaritetit të tij, shefi i Elizesë tha se Franca duhet të jetë më e fortë përballë kërcënimeve të sigurisë.

Një vit pas sulmeve hija e terrorit vazhdon të mundojë francezët. Kujtimet e tragjedisë që nisi nga “Stade de France” për të vazhduar me masakrën në sallën e koncerteve Bataclan, e disa bare dhe restorante, janë ende shumë të gjalla, ashtu siç është dhe frika e një përsëritjeje të ngjarjes së rëndë.

“Rreziku nga terrorizmi ekziston gjithmonë. Ti mund ta luftosh, por ai do të jetë përherë aty dhe mendoj se në Francë, e sidomos në Paris, ideja dhe trauma e terrorizmit është e ngulitur thellë në ndërgjegjj”, thotë eksperti i terrorizmit, Gilles Ferragu.

Trupat e armatosura nëpër rrugë vazhdojnë të jenë pjesë e jetës së përditshme të parizjenëve. Sulmet xhihadiste në vend nuk ndaluan me ato të 13 nëntorit. 86 vetë u vranë në Nice në Ditën e Bastijes, e dy javë më vonë, fanatikë të ISIS-it i prenë fytin një prifti katolik në Rouen.

Top Channel