Klima, ministrja franceze kundër Trump

12/11/2016 00:00

Ministrja franceze e Mjedisit, Segolene Royal jo vetëm e sheh si “absolutisht katastrofik” planin e Donald Trumpit për të hequr dorë nga bashkëpunimi global mbi ngadalësimin e ndryshimeve klimatike, por mendon gjithashtu se një hap i tillë do ta dobësonte edhe vetë Amerikën.

Ngrohjen globale Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara e konsideron një mashtrim. Ai kërkon të anulojë marrëveshjen e Parisit e të ndalojë të gjitha financimet e Uashingtonit për programet e Klimes.

“Do të jetë e tmerrshme nëse i merr vërtet të tilla vendime. Guxoj të besoj se deklarata si këto janë thjesht premtime elektorale për të kënaqur një pjesë të caktuar të elektoratit, i cili nuk arrin ta kuptojë se ngrohja globale është realitet”, deklaroi ministrja franceze Segolene Royal.
 
Ajo që Trumpi kërkon të bëjë është të shtojë vendet e punës në Amerikë e të shmangë varësinë nga nafta e OPEC-ut, duke shfrytëzuar rezervat e naftës argjilore të vendit, ato të gazit natyror e të qymyrgurit.

Marrëveshja e Parisit nga ana tjetër kërkon kufizimin e emëtimeve të gazeve shkaktare të efektit serrë, pjesa më e madhe e të cilave janë pasojë e djegies së karburanteve fosile.

Komentet e saj, Royal i bëri në Marakesh të Marokut ku përfaqësues të 200 kombeve takohen për të diskutuar veprimet mbi kufizimin e ngrohjes së atmosferës. Ministrja franceze kujtoi se edhe Amerika vetë po i vuan pasojat e ndryshimeve klimatike, duke i përmendur baticat e egra në Majemi dhe zjarret masive në Kaliforni. 

Top Channel