Terapia e metrosë

12/11/2016 00:00

Rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara la pas shumë ankth e zemërim, por banorët e Nju Jorkut kanë gjetur një mënyrë të veçantë për ta nxjerrë dufin e tyre: lënë shënime në një stacion metroje në Manhatan.

Me mijëra letra të vogla mbushin tani muret e Union Square. Mesazhet që ato përcjellin përshkohen nga frika dhe trishtimi që i ngjall një e ardhme me Donald Trumpin president. Ideja i lindi artistit Matthew Chavez, i cili ka kërkuar në mënyrë që të inkurajojë njerëzit të shprehin atë që i mundon.

Nismës së tij, Chavez i ka vënë dhe një emër: terapia e metrosë. Njerëzit iu përgjigjen shumë shpejt.

“Jam shumë i merzitur dhe mendoj se kështu janë një pjesë e mirë e njujorkezëve. Më e pakta që mund të them është fjala: tronditëse! Por e kemi të qartë se nuk jetojmë në një sferë qelqi. Duhet të përshtatemi”, thotë një qytetar.
 
“Eh, jam e trishtuar për këtë që po i ndodh vendit. Ndihesh pak më mirë kur sheh se ka edhe të tjerë që e mendojnë si ti”, shton një tjetër.

Deri mbrëmjen e së enjtes, në muret e stacionit të metrosë kishin vendosur shënimet e tyre mbi 3.000 vetë.

Protestat kundër zgjedhjes së Trumpit vazhduan për të tretën natë rresht. Me qindra vetë dolën në rrugët e Majemit dhe Atlantës e grupe gjimnazistësh në Minesota, Kolorado dhe Utah braktisën mësimin për t’iu bashkuar tubimeve kundër republikanit që do të drejtojë vendin katër vitet e ardhshme.

Top Channel