Përmbytjet, Basha: Shpallni gjendjen e jashtëzakonshme

12/11/2016 00:00

Në Spiten të Lezhës situata e përmbytjeve është e rënduar dhe sipas Lulzim Bashës banorët mund të ndihmohen më mirë nga shteti, nëse qeveria shpall gjëndjen e jashtëzakonshme.

“Ndaj i bëj thirrje autoriteteve të dislokojnë urgjentisht resurset këtu, të mos fikin për asnjë çast pompat që i ndezin vetëm kur vjen kryetari i opozitës, t’u vijnë në ndihmë njerëzve që u janë përmbytur shtëpitë, me ushqim me veshmbathje dhe për këtë lypset shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme”, u shpreh kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Kreu i opozitës akuzoi qeverinë për mosshpallje të qëllimshme të gjendjes së jashtëzakonshme.

“A është kjo gjendje normale?Kjo është gjendje e jashtëzakonshme, por nuk e shpall se nuk do që të dëmshpërblejë dëmet që u janë shkaktuar banorëve nëpër shtëpi nëpër fusha e kudo tjetër”, tha Basha.

Por sipas Bashës fatkeqësia e vërtetë është që shqiptarët në vend të një kryeministri kanë një turist që kujdeset për ekspozitat e veta luksoze.

“E ka lënë popullin në mëshirë të fatit e në mëshirë të shiut e në mëshirë të ujit dhe vetë kridhet në luks mes Nju Jorkut me paratë e popullit. Kjo është e papranueshme, por për këtë do t’ia japim përgjigjen së shpejti. Tani interesi im kryesor, interesi i opozitës është të bëjë gjithçka për të ndërgjegjësuar dhe për të mobilizuar të gjithë ata që duhet t’ju vijnë juve në ndihmë”, vijoi Basha.

Tek të përmbyturit Basha ka nënkuptuar se protestat për largimin e Edi Ramës janë afër. “Dhe së shpejti do të marrim fatin në duart tona, do të merrni fatin tuaj në duart tuaja, se kështu nuk ecet më. Ky vend nuk ka më kryeministër”, përfundoi kreu i PD-së.

Top Channel