Anglia fiton derbin britanik me Skocinë, Gjermania e pamëshirshme

11/11/2016 00:00

Franca, Anglia dhe Gjermania bënë një hap më shumë drejt kualifikimit në Finalet e Botërorit 2018, duke përmirësuar ndjeshëm renditjen dhe pikaverazhin në grupet respektive të Eliminatoreve.

Vëmendja kryesore ishte në stadiumin “Wembley” për derbin britanik mes Anglisë dhe Skocisë, një 90 minutësh ku vendasit dominuan duke asfaltuar totalisht fqinjët. Sturridge me kokë e më pas Lallana e Cahill shënuan 3 golat, një fitore që duket se do të konfirmojë në pankinë trajnerin “part time” të anglezëve, Gareth Southgate.

Nënkampionët e Europës triumfuan 2-1 ndaj Suedisë në “Stade de France”, duke përmbysur avantazhin e nordikëve që synuan, por dështuan në surprizën e Parisit. Forsberg i dha epërsinë miqve para se Pogba dhe Payet t’i jepnin fitoren “gjelave” të trajnerit Didier Deschamps, që janë në vendin e parë në grupin A me 10 pikë.

Ashtu siç pritej, Gjermania ishte një ortek i vërtetë në portën e San Marinos, me diferencat në kualitet që ishin të dukshme dhe në rezultatin final 0-8. “Panxerat” nuk e diskutuan asnjëherë fitoren me rivalët modestë, në një sfidë ku shënuan debutues dhe veteranë, kush më shumë e kush më pak.

Në përballjet e tjera të zonës europiane, ra në sy fitorja minimale e Çekisë 2-1 ndaj Norvegjisë, ndërsa Danimarka fitoi 4-1 me Kazakistanin.

Top Channel