Në valixhen e ansamblit “Amselfon”, grupit nga Gjermania, gjen këngë të reja e të vjetra, por më së shumti gjen muzikën “Swing”, atë të viteve ’20-’30.

Si bandë ata mblidhen çdo muaj, jo vetëm për të luajtur muzikë, por edhe për t’i përcjellë njerëzve dëshirën për t’u veshur si në vitet ’20. Këtë eksperiencë, “Amselfon” prej një jave po ua transmeton të rinjve shqiptarë përmes “workshop”-eve të organziara në Akademinë e Arteve.

“Studentët shqiptarë janë shumë të edukuar dhe kuptojnë shumë fjalë në gjermanisht, gjë që në fakt nuk e prisja. Mendoj se ky trajnim është shumë i rëndësishëm për ta, pasi këta studentë duan të bëhen mësues. Në këtë mënyrë, ata mësojnë teknika të performancës, si të flasin ashtu siç duhet e me zë të lartë, duke bërë përshtypje të mirë tek ata, të cilëve u flasin”, tha Barbara Ehwald, muzikante.

“Muzika ‘swing’ është shumë e vjetër, por mendoj se nuk e ka humbur fuqinë dhe energjinë e saj për t’i bërë njerëzit të lëvizin. Duke pasur këtë energji, ndryshe nga muzika metal apo ajo rock, kjo muzikë të jep shumë hapësirë për të folur, të jep shumë informacion, pasi ka një ritëm strikt, ndaj më pëlqen”, tha Michael Schacht, muzikant.

“Amselfon” do të sjellë të gjithë eksperiencën e akumuluar në një javë, në një koncert të hapur për publikun, mbrëmjen e së shtunës në sallën “Black Box”.

“Nesër në mbrëmje do të shohim studentët të prezantojnë atë për të cilën janë trajnuar përgjatë një jave. Publiku do të dëgjojë muzikë klasike, ku do të performohen pjesë nga poetë gjermanë, mes tyre dhe Brecht, e madje më tej, muzikë ‘swing’ për t’u argëtuar duke u afruar më shumë te muzika jonë”.

Koncerti vjen në vijim të “Tetorit gjerman”, i cili për shkak të aktiviteteve të shumta, këtë vit zgjat deri në mes të muajit nëntor.

Top Channel