Valdrin Sahiti flet për Leonorën, Libertën dhe Elvanën

11/11/2016 00:00

Fashion designer-i i personazheve më të famshëm shqiptarë Valdrin Sahiti ka rrëfyer në “Pasdite në Top Channel” gjithçka rreth jetës së tij.

Dashuria për bukuroshen Edita Ramadani, e cila prej gjashtë vitesh, sipas Valdrinit, është kthyer në bashkëpunëtoren e tij më të mirë.

“E quaj “Edita Beba” sepse ashtu meriton të quhet dhe trajtohet çdo femër. Për momentin nuk kemi plane për fëmijë dhe as për martesë pasi këtë të fundit nuk e shikojmë si të domosdoshme”, tha stilisti i VIP-ave për Pasdite në Top Channel.

Duke kujtuar fillimet e karrierës së tij 16 vite më parë, Valdrini tregoi për atë që është muza e tij. “Unë kam vetëm një muzë, divën Leonora Jakupi. Ajo më ka zbuluar mua. Kur më ka telefonuar për herë të parë jam surprizuar sepse nuk e dija si do ta vishja një artiste aq të madhe si ajo që kishte veshur më përpara fustane të markave më të njohura.

“Ajo po besonte tek një stilist i ri dhe kjo për mua ishte tepër e rëndësishme” tha Valdrini. Duke folur për personazhet e famshëm që janë mikeshat e tij më të ngushta përveç Leonorës thotë se janë Liberta Spahiu dhe Elvana Gjata.

“Kur kam njohur Elvana Gjatën kam ndryshuar botëkuptimin për Shqipërinë. Ka një farë paragjykimi mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës. Njohja me Elvanën më ka bërë ta shoh ndryshe Shqipërinë”, tha Valdrini duke shtuar se ndihet krenar që vesh Byoncen dhe Rihanën shqiptare, ç’ka nënkupton Elvanën dhe Leonorën.

Në intervistë me Jonida Shehun, Valdrini ka treguar edhe për darkën e ditës së diel ku në një darkë shumë mistike do të prezantojë koleksionin e tij privat “La belle époque” para 10 prej femrave më të famshme dhe më të pushtetshme shqiptare.

“Do jetë një darkë shumë special. Personat që kam ftuar janë shumë të zgjedhur. Kam stiluar më përpara veshje për secilën prej tyre dhe jam shumë i lumtur të prezantoj para tyre këtë koleksion”, tha fashion designer më i famshëm shqiptar.

Top Channel