Agolli: Izraeli, i rrezikshëm në sulm. Masat e sigurisë nuk ndikojnë

11/11/2016 00:00

Së bashku me trajnerin De Biasi, në konferencën për shtyp ishte edhe mbrojtësi Ansi Agolli, i cili tha se Izraelit duhet t’i kushtohet një rëndësi e madhe pasi kanë një skuadër mjaft cilësore. Ndërsa për sa i përket masave të shumta të sigurisë, ai tha se nuk kanë asnjë ndikim te lojtarët.

“Masat e sigurisë nuk na turbullojnë. E rëndësishme është ndeshja e nesërme dhe mendimet tona janë tek kjo ndeshje. Ndeshja është kundër një skuadre mjaft cilësore, sidomos në sulm, kështu që ne duhet të jemi gati e të japim maksimumin”, tha Agolli.

I pyetur se nëse ekipi ka mbetur me pasoja pas ndeshjes me Spanjën, ai tha se tashmë ajo humbje është harruar totalisht dhe ekipi është stërvitur i qetë.

“Të mundesh nga Spanja nuk është fundi i botës, nuk ka asnjë goditje psikologjike. Kemi bërë një përgatitje të mirë në një ambient të qetë dhe jemi gati për nesër”.

Për sa i përket objektivave dhe një kualifikimi të mundshëm në Botëror, lojtari tha se e rëndësishme është gjithmonë ndeshja e radhës dhe nuk mendohet për objektiva.

Top Channel