Hahn takohet me Mustafën: S’ka liberalizim, pa përmbushjen e kritereve

11/11/2016 00:00

Komisioneri europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, në një konferencë për mediet në Prishtinë ka thënë se, axhenda për reforma europiane e lançuar në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës është një qartësim i detyrave, të cilat kanë institucionet kosovare në rrugën drejt bllokut.

“Kjo platformë është punuar në koordinim me të gjithë faktorët. Deri tani kemi rënë dakord që ajo të implementohet për një periudhë kohore prej 12 deri në 18 muajsh nga data e sotme. Mendoj se, prania ime këtu jep një sinjal të fuqishëm sa i përket vëmendjes që Bashkimi Europian i kushton ecjes përpara të Kosovës. Natyrisht, për implementimin e këtyre reformave duhet vullnet politik, por të gjitha këto pika kërkohen nga qytetarët e Kosovës: si financimi i partive politike, reforma zgjedhore, e të ngjashme. Kjo axhendë do të jetë prioriteti ynë tani dhe në të ardhmen. Besojmë se Kosova do të bëhet vend atraktiv për investitorët e huaj”, ka thënë Hahn.

Ai ka komentuar edhe mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, ndërsa nuk ka lënë pa theksuar sërish se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të votojnë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

“Vendimi për zgjedhje të parakohshme duhet të merret nga udhëheqësit e vendit. Nga pikëpamja jonë, fokusi duhet të jetë në realizimin e çështjeve konkrete që kërkohen nga qytetarët. Ekziston polarizim i skajshëm politik mes pozitës dhe opozitës në Kosovë, por të gjithë duhet ta kuptojnë që këto çështje duhet të zgjidhen në Parlament”, ka thënë ai.

“E di se ekziston një debat i madh për liberalizimin e vizave dhe më duhet të them që jam befasuar, kur kam dëgjuar që po fajësohet Bashkimi Europian për këtë. Më duhet të them se duhet të përmbushen kushtet, që kjo të ndodhë. Sa i përket demarkacionit, unë mundem vetëm që t’i nxis deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojnë këtë marrëveshje. Jemi në kilometrin e fundit në rrugën e liberalizimit të vizave. Ndoshta jemi duke u zvarritur si gjarpri, por jemi duke shkuar në drejtimin e duhur”, tha Hahn.

Top Channel