Kosovë, Thaçi pret Hahnin: Vonesat e BE-së për liberalizimin e vizave, padrejtësi historike

11/11/2016 00:00

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur këtë të premte në një takim Komisionerin e Bashkimit Europian për Politikat e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat për Zgjerimin, Johannes Hahn. Kreu i shtetit kosovar ka theksuar edhe një herë se, vonesat që po i bëhen Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave janë të papranueshme.

“Këto vonesa të shkaktuara nga BE-ja janë një padrejtësi historike ndaj popullit të Kosovës”, ka thënë Thaçi, i cili ka shtuar se Kosovës i janë shtuar padrejtësisht kritere nga Bashkimi Europian, – sipas tij, – vetëm për të arsyetuar këto vonesa të panevojshme dhe të dëmshme nga ana e Brukselit.

Thaçi është shprehur se Kosova nuk meriton kushtëzime të tilla në procesin e liberalizimit të vizave, meqë BE-ja ka mjaft mekanizma që kushtëzimin ta bëjë gjatë procesit të anëtarësimit.

“Kam frikë se dikush në BE e ka ngatërruar keq procesin për liberalizimin e vizave me procesin e anëtarësimit të Kosovës. Po harroni se Kosova nuk bëhet anëtare e BE-së në momentin që hiqen vizat”, ka thënë kreu i vendit në takimin me komisionerin Hahn.

Presidenti tha se e ka dëgjuar shpeshherë refrenin se BE-ja mëson nga gabimet e së kaluarës.

“Sikur kjo të ishte ashtu, atëherë cilët kufij u demarkuan nga Gjeorgjia apo Ukraina, nga të dyja këto vende që janë gati të marrin të drejtën e udhëtimit pa viza në BE në javët e ardhshme?”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka paralajmëruar se vonesat në liberalizimin e vizitave dhe në qartësimin e rrugëtimit europian të Kosovës dhe Ballkanit, po krijojnë hapësira për fuqitë e tjera që ta destabilizojnë rajonin.

“Vonesat e tilla në procesin e liberalizimit dhe perspektivës europiane po rrisin ekstremizmin politik e fetar, dhe druaj se ky vakuum do të shfrytëzohet nga fuqi që nuk ia duan të mirën rajonit”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar komisionerin Hahn për ardhjen në Kosovë, menjëherë pas publikimit të raportit të progresit. “E mirëpres angazhimin tuaj personal dhe e vlerësojmë përkushtimin tuaj që të gjenden zgjidhje për të mbajtur dhe avancuar procesin e reformave europiane”, tha Thaçi.

Top Channel