Amerikanët “bëhen” kanadezë, rritet interesi për nënshtetësi dhe emigrim

11/11/2016 00:00

Me thuajse 9.000 km e tij, kufiri kanadezo-amerikan është kthyer në vijën e shpresës përballë ankthit që ka ngjallur zgjedhja e Donald Trumpit te një pjesë e amerikanëve.

Në kohën kur ai fliste për ndërtimin e një muri me Meksikën, i cili t’i mbajë emigrantët larg, vendasit bënin plane për të ikur. Emra të njohur si Snoop Dogg, Bryan Cranston dhe Lena Dunham kërcënuan të zhvendoseshin në veri të kufirit, nëse Presidencën e merrte manjati njujorkez.

Kur shqetësimi i tyre u bë realitet pas votimeve të së martës, faqja e internetit e qeverisë kanadeze për nënshtetësinë dhe emigracionin u bllokua prej rritjes së ndjeshme “të volumit të klikimeve”. Mbi 200 mijë vetë ishin përpjekur të hynin në faqen në fjalë të martën pas orës 11 të natës me orën lokale, çfarë solli bllokimin e tij.

50% e lëvizjeve vinin nga “IP” amerikane, në një kohë kur niveli i tyre është zakonisht 9 apo 10%. Por  të tronditur nga kjo fitore nuk janë vetëm amerikanët.

Triumfi i Trumpit ka lënë pa fjalë edhe shumë kanadezë. “Ai është biznesmen, një yll i ‘Reality Show’-t, nuk ka asnjë eksperiencë politike, si mund të jetë president?”, tha për “Associated Press” Robert McNair, nga “Cambridge” i Ontarios.

Kryebashkiaku i zonës ku ndodhet ujëvara e Niagarës, Jim Diodati thotë që komuniteti atje do të jetë i lumtur të mirëpresë amerikanët e larguar.

“Do të shtrojmë tapetin e kuq për ta. Por mos mendoni se do të ketë ndonjë eksod masiv. Shpirti amerikan është shumë i fortë dhe një pjesë e atyre deklaratave kanë qenë emocionale”, tha Jim Diodati, kryebashkiak i “Niagara Falls”, Kanada.

Ndonëse kanadezët shprehen të gatshëm t’i urojnë mirëseardhjen fluksit të njerëzve nga fqinji i tyre jugor, sërish i shqetëson ndikimi që mund të ketë kjo situatë mbi marrëdhëniet dypalëshe. Justin Trudeau është shumë diplomat e mbase e gjen një zgjidhje, – thonë një pjesë e tyre, – por nuk dihet sesi do të reagojë Donald Trump.

Top Channel