Të plagosurit e Uzinës, dy naftëtarë me djegie të rënda

11/11/2016 00:00

Katër të plagosurit, të cilët u lënduan gjatë natës së kaluar nga shpërthimi në rafinerinë e naftës në Ballsh, janë në gjendje të qëndrueshme, por dy prej tyre kanë një përqindje më të lartë të sipërfaqes së djegur në trup çka e bën më të vështirë gjendjen e tyre shëndetësore edhe për shkak të moshës afro 65 vjeç.

Të katër pacientët janë duke u trajtuar në shërbimin e djegie plastikës në Qendrën Spitalore Universitare.

“Për momentin janë të stabilizuar. Djegiet janë të themi te 40 përqind. Dy pacientë janë më problematik edhe për shkak të moshës së tyre. Djegiet janë kryesisht në fytyrë, kokë, duar”, tha Gjergji Belba, shef i shërbimit të djegie plastikës.

Pacientët janë vizituar edhe nga zv/kryeministri Niko Peleshi dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

“Jemi thellësisht të prekur nga rasti i një të lënduari, i cili ishte në momentet e fundit të punës, për pak ditë dilte në pension, por ja që ky ishte fati i tij. Gjithsesi, kjo është një ngjarje që nuk do të lihet pa u hetuar”, tha Peleshi.

Dy pacientët e tjerë janë në moshë më të re, njëri 44 dhe tjetri 55 vjeç dhe kanë djegie më të lehta.

“Siç e konfirmoi edhe profesori, gjendja paraqitet e qëndrueshme. Sigurisht, është shpejt për të dhënë një prognozë afatgjatë, por këtu të gjithë po marrin mjekimin e nevojshëm. Spitali i ka të gjitha ato që i duhen për të trajtuar raste të tilla. Tashmë ka një eksperiencë të suksesshme pasi në këtë shërbim kemi trajtuar edhe ngjarje më të rënda, si në numër, ashtu edhe në shkallën e djegies”, u shpreh ministri i Shëndetësisë Beqaj.

Top Channel