“Rivlerësim artit ideologjik”

11/11/2016 00:00

Në 80-vjetorin e tij të lindjes skulptori Muntaz Dhrami çeli një ekspozitë në Gjirokastër. Kjo ekspozitë shërbeu për të folur mbi veprat e tij e kohës së realizmit socialist, për të cilat Dhrami mendon se  do të rivlerësohen në të ardhmen.

I pyetur nëse ndjen ndonjë keqardhje për qëndrimin e mbajtur për veprat e artit ideologjik Dhrami tha se monumenti i Enver Hoxhës ishte pjesë e rrethanave historike dhe frymës së kohës.

“Monumenti i Enver Hoxhës ishte pjellë e kohës në të cilën jetonim. Është fatkeqësi kur njerëzit prishin diçka që mund t’i shërbejë kohës për një periudhë të caktuar. Një pjesë e veprave, një pjesë e krijimtarisë e artit, vjetërohet, por ato që vjetërohen mbahen nëpër muze. Njerëzit do të donin të shohnin se deri në ç’shkallë çuam ne kultin e individit? Këtë s’kanë ku ta shikojnë”|, thotë ai.

“Skulptor i Popullit” që prej vitit 1978, Dhrami ish student i Akademisë së Shën Petërburgut është autor i shumë monumenteve, si ai i Pavarësisë në Vlorë i realizuar në bashkëpunim me skulptorë të tjerë rreth vitit 1970 , monumenti i Ali Pashë Tepelenës, Obelisku i Arsimit në Gjirokastër, monumenti i Mitrush Kutelit etj.

Muntaz Dhrami është autori kryesor i monumentit “Nënë Shqipëri” në Tiranë realizuar në vitin 1971 dhe relievit monumental në ndërtesën e kryeministrisë në Tiranë. Dhrami lëvroi zhanrin e skulpturës por edhe pikturës e vizatimit dhe njihet si mjeshtër i portretit dhe kontributit për sjelljen në art të figurave historike.

Top Channel