Obama pret kampionët Cleveland në NBA

11/11/2016 00:00

Presidenti Barack Obama priti edhe një skuadër tjetër kampione përpara se të dorëzojë zyrtarisht çelësat e Shtëpisë së Bardhë në duart e Donald Trump.

Kreu më i lartë i shtetit amerikan zhvilloi një takim me lojtarët e Cleveland, që sezonin e kaluar siguroi titullin e parë në NBA pas një dueli dramatik me Golden State që u mbyll pas 7 sfidash.

“Për herë të parë në historinë e NBA, një skuadër arriti të përmbysë disavantazhin 3-1 të përballjeve për të fituar titullin kampion”, tha Obama në këtë takim me basketbollistët e skuadrës nga Ohio.

Më pas presidenti Obama nuk u kurseu elozhet për yllin e Cavaliers, Lebron James të cilin ai e vlerësoi për modestinë, etikën në parket dhe vendosmërinë e tij në çdo sfidë. Obama shtoi gjithashtu se LeBron James ia doli të mbajë premtimin e tij për të sjellë titullin kampion të NBA më Ohio me Cleveland.

Ceremonia e pritjes së Cleveland Cavaliers nga Barack Obama u zhvillua vetëm 1 ditë pas takimit të tij me presidentin e ri të SHBA, Donald Trump i cili arriti të mundë në zgjedhjet e 8 nëntorit, kandidaten demokrate Hillary Clinton.

Top Channel