Euroleague, Barcelona shkëlqen edhe në basketboll

11/11/2016 00:00

Barcelona shënoi një tjetër fitore në Euroleague. Skuadra katalanase mundi në parketin e saj Zalgiris Kaunas 92-86 në një ndeshje vërtet të luftuar. Edhe pse ishte në kryesim për pjesën më të madhe të kohës, Barcelona nuk mundi dot të krijojë shkëputjen që mund t’i jepte qetësinë e duhur për fitoren.

Gjithsesi kjo skuadër në fund arriti të mbyllë këtë ndeshje në favorin e saj dhe e sheh veten në vendin e 5 në klasifikim me 4 fitore dhe 2 humbje. Tyrese Rice ishte më i miri në parket për Barcelonën me 20 pikë të shënuara, ndërsa për Zalgiris 26 pikët e Motum nuk shërbyen për të evituar disfatën.

Fitore shënoi edhe Panathinaikos që mposhti Maccabi Tel Aviv me rezultatin 83-75 pas kohës shtesë. Skuadra greke e kryesoi ndeshjen në 3 periodat e para të takimit të cilat i mbylli 52-43. Por izraelitët u zgjuan në periodën e fundit të cilën e fituan 24-15 duke mundur që të mbyllin kohën e rregullt të sfidës me barazimin 67-67. Në minutat e shtesës, Panathinaikos u tregua më e saktë teksa e fitoi këtë fraksion 16-8 dhe krejt ndeshjen 83-75.

Në sfidat e tjera të Euroleague, Unics Kazan mposhti Crvena Zvezdën 65-62,Darussafaka fitoi me Brose 72-70, ndërsa Olimpia Emporio Armani mundi Anadolu Efes 105-92.

Top Channel