Debate për Uzinën, Basha: Korrupsion. Peleshi: Keqardhje

11/11/2016 00:00

“Dua të falënderoj personelin mjekësor për përkushtimin me të cilën i kanë ardhur ndihmë të lënduarve”.

Vlerësimi i punës së mjekëve është një nga fjalitë e pakta pozitive që tha kreu i opozitës, duke shprehur shqetësimin për ngjarjen e Ballshit. Sepse Basha beson se kjo ngjarje është pasojë e një afere të rëndë korruptive e privatizimit të ARMO-s.

“Kemi dyshime të mëdha për përfitimet e jashtëzakonshme dhe ku shkojnë këto përfitime, se qartësisht nuk kanë shkuar për të përmirësuar sigurinë në një uzinë që kishte 6 muaj pa u ndezur. Kemi dyshimet tona të mëdha përsa i përket shfrytëzimit pa asnjë kriter të krahut të punës, të naftëtarëve”, tha Basha.

Opozita ka bere gati prej disa ditësh kërkesën për një Komision Parlamentar që do të hetojë çështjen “ARMO”. Sipas Bashës, pas kësaj afere fshihet Kryeministri Rama, të cilin e akuzoi për braktisje të qytetarëve.

“Kjo është për fat të keq një ditë tjetër kur kryeministri nuk është në krye të detyrës por është  në majë të avionit për të shkuar tek një tjetër ekspozitë që ka kushtuar miliona lekë, qindra –mijëra dollarë. Do të jemi bashkë, pavarësisht se Edi Rama ka braktisur detyrën e tij dhe rend pas pasurisë dhe famës së tij personale në ekspozita luksoze”, i shpreh kreu i PD-së.

Por zëvendëskryeministri Peleshi reagoi pas kësaj deklarate, kur vizitoi të plagosurit në mesditë.

“Dua të shpreh një lloj indinjate për të gjithë ata politikanë, që nxitojnë t’i kapin këto ngjarje të rënda për familjarët, të bezdisin familjen, të bezdisin personelin e shërbimit duke nxituar të mbledhin ndonjë grusht kapitali politik”, tha Peleshi.

Top Channel