Kostoja e “Pranverës Arabe”, OKB: Deri tani 614 mld $

11/11/2016 00:00

Lëvizja që mori emrin Pranvera Arabe i ka kushtuar rajonit 614 miliardë dollarë që prej fillimit të saj në vitin 2011.Ky vlerësim jepet nga OKB dhe është hera e parë që bëhet nga një organizëm ekonomik.

Sipas komisionit ekonomik dhe social të OKB për Azinë Perëndimore, dëmi i shkaktuar është i barabartë me 6% të Produkti të Brendshëm Bruto të rajonit që nga viti 2011 deri në 2015.

Revolta që nisi në Tunizi, solli rrëzimin e krerëve të katër vendeve dhe luftëra civile që ende vazhdojnë në Libi, Siri dhe Jemen. Mësohet se komisioni ekonomik i OKB shfrytëzoi parashikimet e rritjes ekonomike për rajonin para revoltës për të dalë me këtë shifër.

Në të përfshihen edhe vendet që nuk u prekën drejtpërdrejtë nga konflikti politik, por që vuajtën efektet anësore si fluks i madh refugjatësh, humbje remitancash dhe humbje në fushën e turizmit.

OKB tha se në Siri, ku protestat antiqeveritare u përshkallëzuan në një luftë të përgjakshme civile ku tani janë përfshirë edhe fuqitë e huaja, humbjet e GDP-së dhe kapitalit janë 259 miliard dollarë që prej vitit 2011.

Ndërsa në vendet e përfshira nga pranvera arabe, ku pati tranzicion politik, qeveritë e reja nuk kanë bërë asnjë reformë ekonomike për të adresuar çështjet që sollën revoltat, një paralajmërim në raportin e OKB, që mes rreshtave sugjeron se trazirat mund të rikthehen.

Top Channel