Vazhdojnë protestat anti-Trump, Presidenti i zgjedhur akuzon mediat

11/11/2016 00:00

Protestat kundër presidencës së Donald Trump kanë vazhduar për një natë të dytë në Amerikë, ndonëse në përmasa më të vogla. Shumica e tubuesve ishin të rinj që mendojnë se lidershipi i manjatit do të krijojë ndasi të thella racore e gjinore.

Në Portland, policia ka ndeshur ne probleme vandalizmi dhe sjelljeje agresive. Sllogani “Nuk është presidenti im” u rikthye në Filadelfia bashkë me thirrje të tilla si “Trans-ët kundër Trumpit” dhe “Ta bëjmë Amerikën të sigurt për të gjithë”.

Demonstratat në Minneapolis mbyllen përkohësisht një rrugë ndërshtetërore. Trafiku u bllokua nga një turmë njerëzish në Baltimore, e në San Francisco grupe gjimnazistësh kanë valëvitur flamuj meksikanë.

Indinjatës popullore, Trump iu përgjigj me një mesazh në “Twitter”, mënyra e tij e preferuar për komunikimin me publikun, ku i cilësonte protestat si “të padrejta”. 

Personat e mbledhur përpara kullës së Trump në New York, presidenti i zgjedhur i përshkroi si “protestues profesionistë”, të cilët sipas tij, janë nxitur nga media.

Më herët, Trump u takua në Shtëpinë e Bardhë me Barack Obamën për të diskutuar kalimin e pushtetit. Edhe pse takimi dukej i ngrohtë, republikani ka ndërmend të rrezojë një pjesë të mirë të trashëgimisë së Obamës, duke nisur nga “Obamacare”.

Top Channel