Pulisic, talenti që po mrekullon dy kontinente

11/11/2016 00:00

Christian Pulisic, vetëm 18-vjeç, po arrin të tërheqë gjithmonë e më shumë admirues të talentit të tij në fushat e futbollit, duke magjepsur tifozë në dy kontinente dhe duke thyer disa rekorde.

Amerikan me origjinë kroate, thesari i ri i skuadrës së “Signal iduna Park” u bë në janar, i huaji më i ri që shënon në Bundesliga madje në debutim.

Asokohe 17-vjeç, Pulisic arriti të bënte stadiumin e “Westfalenstadion” të shpërthejë nga gëzimi ndaj Hamburgut. Shpejtësia, presingu, grinta dhe shpirti i sakrificës po e projektojnë si një regjisor modern të mesfushës që u mor nga Pensilvenia pa shumë bujë.

Në kohë rekord, futbollisti me origjinë ballkanase ka kaluar rekorde duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve europiane.

Një tjetër rekord i tij është me fanelën e kombëtares amerikane të futbollit, aty ku u bë shënuesi më i ri në histori. Më pas erdhi një tjetër finish. 18-vjeçari u bë më i riu që shënon dy herë radhazi në një ndeshje të Bundesligës. Ai u bë gjithashtu, lojtari më i ri i Dortmundit që aktivizohet në Champions. 

Në harkun e një viti vlera e talentit amerikan ka kaluar nga 500 mijë euro në 5 milionë. Liverpool e ndoqi në merkaton e verës por ishte e vështirë, po aq e vështirë sa largimi i tij në janar kur të hapet tregu dimëror. Kontrata e tij me Dortmundin vlen deri në vitin 2019.

Top Channel