Çfarë thanë presidentët: Obama në 2008-n dhe Trump në 2016-n

10/11/2016 00:00

Zgjedhjet amerikane tashmë ikën, verdikti i popullit amerikan është mëse i qartë dhe nga 20 janari e për 4 vitet e ardhshme në krye të Shtëpisë së Bardhë do të shohim republikanin Donald Trump.

Megjithatë, mes ankthit dhe shokut që prodhoi vendimi i zgjedhësve amerikanë, media të ndryshme analizuan shumë aspekte, çfarë e pret Amerikën në këtë periudhë të re, apo madje edhe botën.

“Al Jazeera” në fakt duket se nuk është fokusuar shumë te frika që mund të sjellë apo që ka përhapur Trumpi si president i zgjedhur, por më shumë rëndësi i ka dhënë një detaji të parëndësishëm në dukje, por shumë domethënës: fjalimeve! Atij të fitores së Barack Obamës në vitin 2008 dhe atij të fitores së Donald Trumpit këtë vit.

Fjalime që nuk kanë nevojë për koment, vlerësimet mund t’i bëjë kushdo sipas asaj që mendon…

Ja si nisën fjalimet e Obamës dhe Trumpit.

Obama: Nëse ka një njeri, i cili dyshon ende se Amerika është një vend ku gjithçka është e mundshme, i cili pyet veten nëse ëndrra e themeluesve tanë është ende e gjallë në kohët tona, i cili dyshon mbi fuqinë e demokracisë sonë, sot ka marrë përgjigjen…

Trump: Më falni që ju lashë të prisni, është çështje e komplikuar. E komplikuar! Faleminderit shumë.

Thirrjet për unitet ishin thuajse të përbashkëta…

Obama: Amerikanëve që i dërguan një mesazh botës se, ne nuk kemi qenë kurrë vetëm një grup individësh, apo një grup shtetesh të kuqe dhe shtetesh blu… Ne jemi dhe gjithmonë do të jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Trump: Për të gjithë republikanët dhe demokratët dhe të pavarurit, anembanë vendit. Ju them se ka ardhur koha që ne të bashkohemi si një popull i vetëm. Ka ardhur koha!

Ndryshe nga Obama, i cili foli mbi mënyrën sesi Abraham Lincoln arriti të bashkonte kombin, dhe në fund përmendi sloganin e tij “Po, ne mundemi”, Trump nuk e përmendi më moton e tij “Ta bëjmë Amerikën të madhe sërish”.

Obama: Dhe siç Lincoln i tha një kombi shumë herë më të përçarë sesa ky i sotmi, ne nuk jemi armiq por miq. Edhe pse pasioni mund të na ketë tensionuar, ai kurrë nuk mund të këpusë prangat e ndjeshmërisë sonë.

Trump: Për ata që nuk më kanë mbështetur në të kaluarën, të cilët janë të paktë në numër, jam këtu për t’iu kërkuar udhëzimet tuaja dhe ndihmën tuaj, në mënyrë që ne të mund të punojmë së bashku dhe të bashkojmë kombin tonë të madh.

Obama: Për amerikanët, mbështetjen e të cilëve nuk e kam fituar ende. Ndoshta nuk e kam fituar votën tuaj sot, por do t’iu dëgjoj gjithmonë. Kam nevojë për ndihmën tuaj dhe do të jem edhe presidenti juaj.

Trump: Angazhohen për cilindo në tokën tonë se, do të jem president për të gjithë amerikanët dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua.

Dallimi më i madh në fakt ishte falënderimi ndaj Zotit. Trump nuk e bëri diçka të tillë: nuk e falënderoi Zotin. Tradicionalisht, presidentët e kanë bërë gjithnjë këtë. S’ka sesi të mos i kenë qenë mirënjohës Zotit.

Obama: Dhe sado që jemi përballur me cinizëm e dyshime, atyre që dyshojnë dhe që na thonë se ne nuk mundemi, ne do t’iu përgjigjemi me besimin e përjetshëm që përmbledh shpirtin e të gjithë popullit: Po, ne mundemi! Faleminderit. Zoti ju bekoftë! Dhe Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Trump: Ju do të jeni krenarë për presidentin tuaj. Do të jeni. E sërish e them se është nder për mua. Kjo është një natë e mahnitshme, ka qenë një periudhë dyvjeçare e mahnitshme dhe unë e dua këtë vend. Faleminderit. Faleminderit shumë! Faleminderit Mike Pence, faleminderit të gjithëve.

Top Channel