Shemben 5 ura në Tiranë; Dëme të mëdha nga reshjet, shpërngulen banorët

10/11/2016 00:00

Shirat e dy ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme për Bashkinë e Tiranës. 5 ura të cilat janë dëmtuar, kërkojnë ndërhyrje menjëhershme duke penguar banorët e fshatrave Zallbastar dhe Zallherr  të komunikojnë me qytetin.

“Ka pasur probleme në infrastrukturë kryesisht me ura dhe me rrugët rurale në disa njësi administrative si Zallbastar, Zallherr, Petrelë. Kemi pasur bllokimin e dy akseve në Zallbastar, një aks në Zallherr. Kemi dy ura të dëmtuara në Zallherr dhe tre ura në Zallbastar. Pjesa e këmbëve të urave po mbushen me inerte”, shprehet Admir Abrija, drejtor i njësive administrative në Bashkinë Tiranë.

Reshjet kanë shkaktuar edhe shembje të dherave duke bllokuar rrugë të brendshme nëpër fshatra. Por ndonëse janë angazhuar te gjitha ndërmarrjet e bashkisë së Tiranës ende nuk ka një kosto për dëmtimet.

Volumet e shembjeve kanë qenë jo të vogla, kanë qenë relativisht të mëdha. Është punuar me logjistikë të rëndë, me eskavatorë me zinxhir me kamionë me 4 aksa që kanë volum për mallra transporti. Në Zallbasatar kemi dy rrugë në të cilat kanë rënë rreth 1500 metër kub dhera. Pothuajse është hequr e gjitha, po vijohet të punohet. Në Zall Herr ka pasur tre shembje, edhe atje është ndërhyrë”, shtoi Abrija.

Në mbështetje të Bashkisë së Tiranës janë ofruar kompani private, të cilat kanë vënë në dispozicion mjete të rënda për largimin e dherave të shembur. Ndërkohë që Bashkia ka evakuuar në palestra të disa shkollave nëntëvjeçare, familjet që banonin në bregun e lumit Tirana, në segmentin ku Bashkia është penguar të punoje në shtratin e lumit.

Top Channel