Reforma Zgjedhore, Basha takon ambasadorin e OSBE

10/11/2016 00:00

Kur kanë mbetur më pak se 8 muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, OSBE-ja do të ndërhyjë për të vendosur në funksion Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Këtë angazhim ambasadori i OSBE-së e mori gjatë një takimi me kreun e opozitës, Lulzim Basha, sipas të cilit është kryeministri Rama ai që ka bllokuar reformën që në muajin maj duke mos pranuar asnjë propozim të Partisë Demokratike për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.

“Reforma u vonua qëllimisht për të pamundësuar votimin elektronik, i cili do t’i priste rrugën shitblerjes së votës”- i tha Basha ambasadorit të OSBE.

Sipas kreut të opozitës, sa herë ka patur zgjedhje këto tre vjet Edi Rama ka treguar se ka përdorur personat e inkriminuar dhe tani po përdor paratë e drogës për të blerë votat në zgjedhjet e ardhshme.

Basha thotë se rreziku më i madh për zgjedhjet e ardhshme është blerja e pushtetit politik nga krimi dhe kjo sipas tij është arsyeja pse Rama ka bllokuar zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.

OSBE-ja ka angazhuar një ekspert të huaj për të ndihmuar Komisionin e Reformës zgjedhore me amendamente konkrete pet zbatimin e rekomandimeve te OSBE/ODIHR-it.

Top Channel