Hungari, shkatërrohet grupi nga Kosova i trafikimit të emigrantëve

10/11/2016 00:00

Një ditë aksioni ishte e enjtja për “EUROPOL”-in dhe policinë hungareze, të cilat, të mbështetura nga Qendra europiane për Mbrojtjen e Emigrantëve, kanë zbërthyer një grup kriminal të organizuar nga Kosova, të cilët ishin të përfshirë në trafikimin e emigrantëve.

Me bashkëpunimin e autoriteteve kosovare, 6 persona përfunduan në pranga. Atyre iu sekuestruan granata dore, lëndë narkotike, telefona celularë, automjete dhe një shumë e konsiderueshme parash.

Më shumë se 120 policë morën pjesë në këtë operacion, gjatë të cilit kërkimet për shtëpitë e trafikanteve u shtrinë nëpër disa qytete të Kosovës.

“EUROPOL” dha mundësinë e shkëmbimit të informacioneve sekrete dhe zbardhjes së telefonatave mes pjesëtarëve, ndërmjet vendeve si Sllovenia, Kroacia, Hungaria dhe Italia, ku mendohet se ata operonin, çfarë çoi edhe në suksesin e këtij hetimi të përbashkët.

Grupi kriminal merrte përsipër që të rinjtë e moshës 16 deri 18 vjeç nga Kosova, përmes rrugës perëndimore-ballkanike t’i çonte drejt vendeve ku ata do të kërkonin azil. Hetimi zbuloi se shumica e tyre janë zhvendosur drejt Italisë dhe Hungarisë. Mësohet se grupi kriminal përdori krizën e emigracionit, si shteg për të gjeneruar shifra të mëdha parash.

Top Channel