Kuqezinjtë: Ndaj Izraelit për 3 pikët

10/11/2016 00:00

Nuk ka më dyshime, objektivi i vetëm për sfidën ndaj Izraelit është 3 pikëshi. Kundërshtari i ditës së shtunës është dhe rivali direkt në objektivin minimal për kombëtaren Shqiptare. Këtë konkluzion e vëren nga fjalët e futbollistëve në daljet e tyre për shtyp.

Mbrojtësi i Napolit Elseid Hysaj shpall hapur objektivin e skuadrës në këto eleminatore, pavarësisht profilit të ulët që kërkon të mbajë trajneri Giani de Biasi dhe stafi i tij.

“Është një ndeshje e vështirë. Izraeli është një skuadër e fortë, por ne po pregatitemi, të gjithë duam të fitojmë. E dimë që një skuadër shkon në Play Off dhe objektivi ynë është të shkojmë në Rusi. E dimë që është e vështirë por do të mundohemi të bëjmë të pamundurën, dicka që e kemi treguar edhe me arritjen në europian”, thotë Hysaj.

Pas debutimit në sfidën ndaj Lichtenshteinit sulmuesi Azdren Llullaku pret një tjetër mundësi për të treguar vlerat e tij me fanellën kuqezi. 28-vjecari nga Istogu që po kalon një periudhë të mirë tek Gaz Metan në kampionatin rumun, ndjehet gati për të dhënë kontributin e tij në sfidën e rëndësishme ndaj Izraelit.

“Jam i pregatitur fizikisht por nëse do të luaj atë e di vetëm trajneri. Unë jam këtu të ndihmoj skuadrën. Në Rumani po kaloj një moment të mirë, por kur hy në fushë nuk mendoj për golin, por për fitoren e ekipit. Nëse shënoj atëhere është dicka më mirë”, deklaroi Azdren Llullaku.

Top Channel