Kosovë, Lunaçek takohet me Thaçin e Veselin. Flitet për integrimin

10/11/2016 00:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur këtë të enjte eurodeputeten Ulrike Lunaçek, me të cilën është biseduar mbi procesin integrues të Kosovës.

“Bashkimi Europian mbetet destinacioni i vetëm i Kosovës. Ne mbetemi të përkushtuar në reformat e përgjithshme për forcimin e demokracisë, sundimin të ligjit dhe zhvillimit ekonomik. Por edhe BE-ja nuk duhet të vonohet me Kosovën dhe rajonin”, ka thënë ndër të tjera presidenti Thaçi.

Thaçi dhe eurodeputetja Lunaçek kanë biseduar edhe për rëndësinë e ndërtimit të partneritetit dhe bashkëpunimit reciprok ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian.

Më herët ka qenë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ai që priti raportuesen për Kosovën në Parlamentin Europian.

Duke folur shkurtimisht për mediet pas takimit, Veseli ka thënë se, nëse Kosova do të marrë një lajm të mirë, atë do ta sjellë padyshim Lunaçek.

“Nëse Kosova do të marrë një lajm të mirë për liberalizimin e vizave, atëherë atë do ta sjellë mikja e madhe Lunaçek”, është shprehur Veseli. Zëvendëspresidentja e PE-së vjen në Kosovë pas publikimit të raportit të progresit.

Gjithsesi, në konferencën që mbajti sot në Prishtinë, raportuesja Lunaçek nuk e garantoi dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën, për sa kohë që Bashkimi Europian e përsërit vazhdimisht si kriter miratimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Lunaçek thjesht përsëriti se kritere mbeten demarkacioni, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, por u kujdes të shprehej se qytetarët e Kosovës meritojnë të lëvizin pa viza në Europë. Gjë të cilën mund të arrijnë vetëm deputetët dhe politikanët e Kosovës.

Top Channel