Policia Financiare në Greqi ka shkatërruar një rrjet që ndërhynte në matësat e energjisë elektrike dhe vidhte energjinë.

Tre anëtarë të rrjetit; një grek, një rom dhe një shtetas shqiptar; janë arrestuar në flagrancë gjatë ndërhyjres në disa matësa elektrikë. Ndërsa 7 të tjerë, pas denoncimeve të kontrollorëve të Operatorit të Energjisë Elektrike, që kanë zbuluar në kabinat elektrike se kishin ndërhyrë me mënyra artizanale në aparatet matës të tyre, në biznese dhe në shtëpi, duke vjedhur sasi të konsiderueshme energjie në muajt e fundit.

Anëtarët e rrjetit, për çdo ndërhyrje në matësa familjarë merrnin 50 euro, ndërsa për bizneset e vogla 100 euro, duke përfituar mijëra euro në vit nga veprimtaria e tyre.

Deri më tani janë zbuluar mbi 110 raste të ndërhyjres në matësat elektrikë, në të cilët tashmë regjistrohej vetëm 20% e energjisë së konsumuar. Të arrestuarit janë çuar në Prokurori, ku janë njohur edhe me aktakuzat.

Sipas ligjeve greke, dënimet për vjedhjen e energjisë elektrike shkojnë deri në 3 vite burgim, përveç gjobave financiare.

Rastet e vjedhjes së energjisë në vend janë regjistruar qysh para fillimit të krizës, por gjatë viteve të fundit është evidentuar dhjetëfishimi i tyre, duke marrë përmasa të konsiderueshme.

Top Channel