“Paqe” në takimin Obama-Trump

10/11/2016 00:00

Presidenti Obama e përshkroi si “të shkëlqyeshme” bisedën që zgjati për rreth 1 orë e gjysmë me pasardhësin e tij, Donald Trump në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, takimi i parë personalisht mes dy “armiqëve të përbetuar”.

Trump, që shpesh e ka përshkruar Obamën si “makthi më i keq i Shteteve të Bashkuara”, tha nga ana e tij se “Presidenti ishte një njeri i mirë”.

Gjatë fushatës ai vazhdimisht e quajti Obamën si të dobët, fatkeqësia më e madhe e amerikanëve, joefikas dhe “më injoranti në historinë e Presidentëve të vendit”.

Gjithsesi, në takimin e kësaj të enjteje, këto u lanë të gjitha pas dhe që të dy, të paktën para gazetarëve, folën përzemërsisht me njëri-tjetrin.

“Duam të bëjmë gjithçka që ti të kesh sukses, sepse nëse ti je i suksesshëm, të gjithë ne jemi të suksesshëm”, tha Obama.

Rrethanat e takimit ishin të pazakonta. Trump udhëhoqi fushatën disavjeçare të quajtur “Birther” dhe e cila kontestonte certifikatën e lindjes së Obamas. Presidenti i zgjedhur deklaronte se Obama nuk kishte legjitimitet në krye të Shteteve të Bashkuara sepse kishte lindur jashtë SHBA, ndërsa Obama e ka quajtur shpesh në të shkuarën si “të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm”.

Edhe këto akuza u lanë pas dhe që të dy u shfaqën në të njëjtin front. Obama tha se diskutimi me Trump ishte i zgjeruar me të gjitha sfidat që ka vendi, që nga çështjet e organizimit të Shtëpisë së Bardhë, tranzicioni i butë i pushtetit e deri tek politika e jashtme.

“Folëm për politikën e jashtme, për çështje të brendshme dhe siç e deklarova edhe më parë, për prioritetin tim në dy muajt e fundit të detyrës; për një tranzicion të butë të pushtetit që të siguroj që Presidenti i zgjedhur të jetë i suksesshëm”, tha Obama.

Tetë vite më parë, vetë Obama ndodhej në pozicionin e Trump edhe pse jo në të tilla përmasa. Ai ishte kritik i ashpër i politikave të Bush dhe luftërat në Irak e Afganistan, por edhe për politikat ekonomike në vend.

Top Channel