Librat që dëgjohen, mësuesja në pension regjistron në audio 36 libra

10/11/2016 00:00

Ka periudha të vështira në jetë, kur njeriu mund të ketë nevojë për një dado, apo një gjyshe që t’i lexojë diçka për t’i ngritur moralin. Me këtë qëllim, Violeta Volumi, dikur një mësuese e sot një pensioniste, ka regjistruar 36 libra në versionin audio, të cilat i ofron pa pagesë për të gjithë lexuesit.

“Kur kam qenë keq një periudhë, kjo ishte dëshira që dikush të më lexonte. Më vinte keq që në atë kohë shfrytëzoja audiokasetat. Me veten thoja gjithnjë që, kur të mundem do ta bëj këtë gjë dhe ja ku erdhi koha. Vendosa që ta bëj me të gjitha mundësitë që kam, të bëhem një dado e njerëzve në momente jo vetëm të vështira, por edhe të mira”, tha Violeta Volumi.

Violeta është fëmija i fundit në një familje të madhe me 10 fëmijë, ku nuk mungojnë nipërit e mbesat, të cilët e kanë ndihmuar në misionin e saj human.

“Kur pasioni është i madh, njeriu ezauron çdolloj burimi që ka. Unë shfrytëzova burimet familjare, të gjithë nipërit dhe mbesat e mia. Dikush është i zoti në kompjuter, dikush ka një zë melodioz e gjithçka e nisa në këtë mënyrë. Ndihem mirë me veten, me atë që më dëgjojnë, më falënderojnë veçanërisht të verbrit, nëna me fëmijë që mund të mos i kenë lexuar të gjitha ato përralla”, tha më tej Violeta.

Librat gjenden lehtësisht “online” dhe shkarkohen pa pagesë, ndërsa vet Violeta mirëpret të tjerë vullnetarë çdo ditë në stendat e Panairit të Librit, që t’i bashkohen nismës së saj.

Top Channel