Gruaja e komisarit të vrarë, 16 vjet zvarritje proceduriale

10/11/2016 00:00

Mos ekzekutimi i një verdikti gjyqësor nga zyrat e Përmbarimit për 16 vjet rresht ka vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, që i dha të drejtë paditëses, e cila është e veja e komisarit Gani Malushi, vrarë në gusht të vitit 2003.

Gjykata Kushtetuese u shpreh se Esma Malushit i janë cënuar të drejtat kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, pas fitimit të një gjyqi në vitin 2000.

Zvarritja historike ka lidhje me fitimin e procesit për kthimin e 1 milion e 300 mijë lekëve sipas një kontrate huaje të firmosur në 1995 mes Gani Malushit dhe një shtetasi.

Por shërbimi përmbarimor privat, me gjithë përpjekjet në fillim të komisarit Gani Malushi e më pas të bashkëshortes Esma nuk ia ka dalë mbanë të ekzekutojë vendimin gjyqësor.

Gjykata Kushtetuese konstaton se përmbarimi, qoftë publik apo privat, nuk ka bërë përpjekje serioze, duke sjellë pengesa në formën e mosveprimit për ekzekutimin e vendimit civil.

Afati prej 16 vjetësh, thotë gjykata, është tejet i gjatë dhe përbën një cënim të së drejtës për një proces të rregullt ligjor. Për këtë arsye duhet analizuar, sipas Kushtetueses, sjellja e këtij shërbimi.

Gjykata kujton përpjekjet e Esma Malushit edhe në Ministrinë e Drejtësisë për të marrë të drejtën e saj, por edhe aty nuk ka gjetur një zgjidhje.

Në këtë kontekst, thuhet në vendim, i takon kësaj ministrie që përmes strukturave të saj të monitorojë zbatimin e legjislacionit nga ana e shërbimit përmbarimor publik dhe privat dhe kur konstatohen shkelje të merren masa.

Top Channel