Vlahutin: Vettingu, kushti kryesor për hapjen e negociatave

10/11/2016 00:00

Ndërsa në Kuvendin e Shqipërisë u debatua ashpër edhe se kujt i takojnë meritat për dhënien Shqipërisë të rekomandimit për hapjen e negociatave për anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian, diplomatët në Tiranë theksojnë se Reforma në Drejtësi dhe “vetting”-u janë kushti kryesor. Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, dhe ambasadori i Francës, ndërsa ndodhej në Korçë, ishin të dy në një zë.

“Gjëja më e rëndësishme në raportin e këtij viti, veç lajmit të mirë, është se ka një lidhje të qartë dhe të drejtpërdrejtë të shpejtësisë së implementimit të Reformës në Drejtësi dhe shpejtësisë së avancimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Ura lidhëse, e para dhe më e rëndësishmja është ‘vetting’-u. Për këdo që do të drejtojë Shqipërinë në të ardhmen dhe drejt anëtarësimit në BE, Reforma në Drejtësi dhe implementimi i saj do të jetë detyra kryesore. Dhe është mirë që kjo është e qartë, sepse ju si qytetarë do të jeni në gjendje të matni dhe kuptoni qeverisjen e vendit më mirë. Nuk po them qeverinë, por qeverisjen”, tha Romana Vlahutin, ambasadore e delegacionit të BE-së.

Duke shpjeguar progresraportin e Komisionit Europian, Romana Vlahutin tha se 90% e tij është pozitiv, por ka ende punë për të bërë.

“Zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është gjithashtu diçka që po i kushtojmë vëmendje. Ka një reformë në vazhdim dhe Parlamenti duhet të dalë me përgjigjen e duhur për rekomandimet e ODIHR-it, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jenë të përgatitura mirë me kohë”, tha Romana Vlahutin.

Zonja Vlahutin iu përgjigj edhe kureshtjes së studentëve, se kur Shqipëria do të zgjohet si anëtare e BE-së.

“Në momentin që do të zgjoheni si qytetarë të BE-së, asgjë nuk do të ketë ndryshuar, sepse ndryshimi do të bëhet përgjatë rrugës, është një proces”, tha Romana Vlahutin.

“Unë dua të theksoj faktin se duhet të ecet përpara me zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe veçanërisht me ligjin që i takon vlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve. Vendi juaj ka nevojë për integrimin në Bashkimin Europian, sikurse edhe Ballkani ka nevojë të ketë një Shqipëri më të fortë dhe të stabilizuar. Gjykata Kushtetuese pa të arsyeshme t’i drejtohet Komisionit të Venecias dhe besoj se ky i fundit do të japë mendimin e tij për këtë ligj rreth datën 10 dhjetor. Shpresoj shumë se, që mëngjesin e 11 dhjetorit do të fillojë të zbatohet Reforma në Drejtësi”, tha ambasadori francez, Bernard Fitoussi.

Top Channel