Vërshimi i Vjosës, bien prurjet, por dëmet të mëdha

10/11/2016 00:00

Pas daljes së lumit Vjosë nga shtrati, shtabi i emergjencave në Novoselë ka bërë të mundur evakuimin e 20 familjeve që u strehuan më pas tek të afërmit.

Prurjet e lumit Vjosë, tashmë në nivelin 6 metra, janë reduktuar. Por kjo situatë përsëritet çdo vit për banorët, shumë prej të cilëve pavarësisht alarmit për evakuim nuk janë larguar.

Vjosa ka përmbytur edhe Selenicën në aksin nacional që lidh këtë njësi vendore me Vlorën. Në Frakull janë përmbytur 15 hektarë sera si pasojë e bllokimit të kanalave kulluese.

Në njësinë administrative Kurvelesh, masive të shumta dheu janë shkëputur nga shpatet e maleve dhe kanë bllokuar totalisht rrugën rurale që lidh 6 fshatra me rreth 1.500 banorë.

Deri në orët e mesditës është e bërë e mundur hapja e rrugës deri në fshatin Bënçë, në një gjatësi prej rreth 5 kilometra. Situata paraqitet problematike edhe në zona të tjera të vendit.

Një banor nga fshati Çerkezë i Kamzës raporton në Top Channel se prej dy ditësh vazhdojnë të jenë të bllokuar si pasojë e shembjes së dy urave prej përmbytjeve.

Ndërsa në veri, mijëra banorë në Bashkinë e Matit dhe atë të Klosit prej tri ditësh vijojnë të jenë të izoluar si pasojë e dëmtimit të rrugëve dhe shembjes së urave.

E njëjta situatë paraqitet në Kukës dhe Bulqizë. Siç raportoi ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave në Kryeministri, reshjet në veri pritet të rikthehen nesër.

Ndërsa ministrja e Mbrojtjes njoftoi se ushtria është në terren duke forcuar argjinaturat e disa lumenjve në veri, ndërsa OSHEE po punon për riaprimin e disa defekteve që kanë ndodhur gjatë natës. Ndërkohë, njoftohet stakimi i 12 fiderave, si dhe dëmtmi i disa shtyllave në Peqin e Burrel.

Top Channel