Shkodër, sekuestrohen 85 kg hashash, po trafikohej drejt Malit të Zi

10/11/2016 00:00

Policia Kufitare në bashkëpunim me Sektorin për Narkotikët në Policinë e Shkodrës kanë goditur një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike, ku janë sekuestruar 85.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa.

Burimet bëjnë me dije se në faqen e malit në zonën e Grabomit, Kelmend, gjithashtu dhe në afërsi të bregut të liqenit të Shkodrës, Koplik, Malësi e Madhe, shërbimet e policisë kufitare kanë konstatuar 3 persona, të cilët po lëviznin në drejtim të kufirit me Malin e Zi, ku menjëherë janë vënë në ndjekje, por për shkak të terrenit të thyer malor dhe kushteve atmosferike jo të favorshme nuk kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e tyre.

Nga kontrolli i ushtruar dhe krehja e zonës përreth u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 thasë me një sasi prej 85.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve përgjegjës, të përfshirë në veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për Krimet e Rënda, Tiranë për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Top Channel