Meksika përshëndet Trumpin. Filipinasi Duterte: Ai është si unë

10/11/2016 00:00

Presidenti i Meksikës, vendin e të cilit Trump kërcënon ta ndajë nga Amerika me mur, i përcolli republikanit urimet e tij për zgjedhjen në krye të Shtëpisë së Bardhë, e tha se do të kërkojë bashkëpunimin me të në të mirën e të dy vendeve.

Fitorja befasuese e Trumpit bëri që pesoja meksikane të rrëshqiste në pikiatë, ndikimi i parë i drejtpërdrejtë i zotimeve të presidentit të ri amerikan për ngritjen e murit dhe dëbimin e emigrantëve të paligjshëm. Por Enrique Pena Nieto thotë se, biseda telefonike që pati me Trumpin pas fitores ishte e përzemërt.

“Fola me presidentin e zgjedhur Donald Trump për t’i përcjellë urimet e mia për fitoren e tij. Në urime përfshiva edhe pjesëtarët e familjes së tij, të cilët e kanë shoqëruar përgjatë të gjithë fushatës. Mund të them se ishte një bisedë e ngrohtë dhe me tone respekti”, tha Enrique Pena Nieto, president i Meksikës.

Pena Nieto sqaroi se ka diskutuar një axhendë të re pune me Trumpin, ku do të hyjnë edhe çështjet e sigurisë, dhe shtoi se do të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të meksikanëve.

I kënaqur me zgjedhjen e amerikanëve të martën është dhe presidenti filipinas, Rodrigo Duterte, njeriu që ofendoi publikisht presidentin demokrat Barack Obama.

“Do të doja t’i përcjell Trumpit urimet e mia. Që të dy shajmë nëse e keni vënë re. Jemi shumë të ngjashëm në atë drejtim”, tha Rodrigo Duterte, president i Filipineve.

Gatishmërinë për të bashkëpunuar me adminstratën e re e shprehu edhe Pakistani. Për Kinën, vendosja e Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë krijon pasiguri. Kryeministri i Australiasë Malcom Turnbull u shpreh i hapur ndaj kreut të ri, ndërsa australianët e thjeshtë e shohin figurën e tij me shqetësim.

Top Channel