Berisha: Rekomandimi, meritë e opozitës. Negociatat do i hapë PD

10/11/2016 00:00

Ish kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në Kuvend se rekomandimi për hapjen e negociatave është meritë e opozitës, e cila votoi reformën në drejtësi. Berisha ka theksuar se do të jetë PD ajo që do të hapë negociatat.

“Me ty (Edi Ramës) nuk ka negociata, se negociatat do i hapi PD. Prandaj them se ai sot ishte me kokë në tepsi. Sa i përket rekomandimit. Shpreh keqardhje që nuk vendosi hapjen pa kushte të negociatave, sepse hapja pa kushte ishte kërkesë e jona, sepse ishte absolutisht zotimi i forcës sonë politike për të trajtuar në mënyrën më serioze. Pasi dihet që shqiptarët po presin me padurim të lajnë duart nga kjo qeveri që është bërë simbol i korrupsionit, krimit. Është meritë e opozitës që votoi reformën. Opozita ka bërë e do bëjë gjithçka, Aldon e përgëzoj, po mos bëni majmunin”, ka thënë Berisha.

Ndër të tjera, Berisha e ka cilësuar si absurd sqarimin e kryeministrit Rama për deklaratën e tij ndaj Donald Trump, duke e cilësuar një sqarim të bërë në rrethana dëshpërimi.

“Kandidati në kohën e luftës ka qenë shumë radikal, ka kërkuar futjen e trupave tokësore në Kosovë. Ka qenë radikal i asaj se nuk duhet të sulmojmë nga 10 mijë metra lartësi, por të fusim trupat tokësore. Por përse pretendon ky (Rama) kështu sot, sepse kokën e ka në tepësi, jo nga Trump por nga shqiptarët”, ka thënë Berisha.

Ish-kryeministri ka kritikuar Ramën edhe për afrimin e tij me Beogradin, që sipas tij po bëhet në dëm të Kosovës.

“Për Kosovën unë ua kisha bërë të qartë serbëve, do bisedoni me udhëheqësit e Kosovës. Nëse ti nënshkruan marrëveshje me Serbinë që përfshin edhe Kosovën pa palën kosovare, atëherë kjo do të thotë se Tirana dhe Beogradi e mbajnë veten si padronë të Prishtinës. Ne do nisim rezolutën kundër kësaj marrëveshjeje. Ju e bëtë këtë për interes të një pale të tretë, sepse s’keni interes kombëtar. Ju i futët thikën Kosovës”, ka shtuar Berisha.

Top Channel