Moti i keq, situatë e rënduar në Mat dhe Bulqizë

10/11/2016 00:00

Mijëra banorë në Bashkinë e Matit dhe atë të Klosit prej tre ditësh vijojnë të jenë të izoluar si pasojë e dëmtimit të rrugëve dhe shembjes së urave.

Situata më e rënduar paraqitet në Bashkinë Mat, sidomos në njësitë administrative Rukaj, ku  4200 banorë janë të izoluar totalisht për shkak të dëmtimit të rrugës në fshatin Urakë. Ku rruga është e dëmtuar prej gati 100 metra si pasojë e daljes së shtratit të zallit të “Kurvajës”. Dëme në këtë njësi vendore ka edhe në përmbytjen e tokave dhe banesave.

Në njësinë administrative Komsi, ka shembje të urave në fshatin Baterr e Vogël dhe Gërman. Përrenjtë kanë rrëmbyer urat duke lënë pa komunikim banorët.

Njësitë administrative Macukull, Derjan janë pothuajse të izoluara totalisht. Në njësinë administrative Lis, disa fshatra janë të bllokuar për shkak të gërryerjes së rrugëve. Në njësinë administrative Ulëz, fshati Stojan është pa komunikim me rrugën nacionale për shkak të rrëmbimit të urave. Edhe në njësinë administrative Baz, ka shembje të urave.

Në Bashkinë Klos, problem mbetet njësia administrative Xibër. Pothuajse të gjithë fshatrat e kësaj njësie janë të izoluar si pasojë e shembjes së Urave. Fshati Ketë, Xibër-Hane, Xibër-Murrizë dhe Gjatë këtyre ditëve ka patur problem edhe me energjinë elektrike, e cila ka munguar për orë të tëra, duke lënë banorët në errësirë. Shkak janë dëmtimi i linjave, megjithëse OSHEE është ne terren për të normalizuar situatën.

Ndërkohë, situatë e rënduar vijon të jetë edhe ku uji ka hyrë në disa biznese duke dëmtuar dëme të konsiderueshme materiale, gjithashtu ngelet i bllokuar aksi që lidhe dy lagjet e qytetit të Bulqizës, ndërkohë në shumë rrugë brenda qytetit të Bulqizës ka problem në lëvizjen e banorëve dhe të makinave prej pranisë së ujit,po ashtu edhe në fshtara Vajkal 1 dhe Vajkal 2.

Top Channel